Kosova në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022 ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.
Për rezultatin në PISA ka reaguar edhe analisti Lirim Gashi, i cili thotë se kurrë më shumë shkolla dhe universitete, ndërsa kurrë më pak dije.
Gashi përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se mësimdhënësit janë bërë budallenj me vula, ndërsa përfaqësuesi i Sindikatës së arsimit, z. Jashari “mik më i madh i marrëzisë së tyre”.
Ai shton se e shqetëson fakti që shumica e njerëzve me diploma, më vonë punojnë në profesione që nuk i njohin dhe sipas tij diplomat tani më kanë pak vlerë.
Shkrimi i plotë:
Kurrë më shumë shkolla dhe universitete dhe kurrë më pak dije.
Mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe pedagogët tanë janë bërë budallenj me vula, kështu që kërkimi i rrogave më të larta për ta duhet kuptuar nga taksapaguesit si një çështje humanitare, sepse ata duhet ta mbajnë atë barrë në shenjë solidariteti me të ngjashmit e tyre.
Marrëzia nuk është e dënueshme në aspektin moral, etik dhe ligjor, përveç nëse njerëzit që janë të infektuar me të bëhen mësues, arsimtarë, profesorë dhe edukatorë dhe e krijojnë një ushtri budallenjsh nga fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Zoti Jashari është miku më i madh i marrëzisë së tyre sepse nuk thotë hapur se duhet respektuar dinjiteti i budallenjve, duke pasur parasysh se edhe ata kanë fëmijë që nuk kanë faj për paaftësinë e baballarëve dhe nënave të tyre.
Më së shumti më shqetëson fakti që shumica e njerëzve që kanë diploma në vendin tonë do të punojnë më vonë në profesione që nuk i njohin.
Dhe ata do të ishin muratorë, marangozë, fermerë, barinj, blegtorë, kopshtarë dhe pylltarë të hatashëm.
Diplomat tona të shkollave dhe universiteteve sot kanë më pak vlerë se prezervativët, të cilët të paktën mbrojnë nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, sepse ato nuk mbrojnë nga marrëzia.
Ato në fakt janë vulat e marrëzisë.