Sot u bë përurimi i tuneleve 6 dhe 7 dhe rihapjes së linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.
Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ndërmarrja Publike “Infrakos”, krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, morën pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ambasadori italian në Kosovë, Antonello de Riu, shefi për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovë, Sergiy Maslichenko, Kryesuesja e Bordit të “Infrakos”, Edona Nahi, Kryeshefi i kësaj ndërmarrje publike, Naser Krasniqi, ambasadorë, zëvendësministra, deputetë, e qytetarë.
Duke e cilësuar këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se jemi këtu për të përuruar rindërtimin e linjës 10 që lidh Hanin e Elezit me Fushë-Kosovën, dhe për të rihapur në veçanti dy tunele, njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me 122 metra, që kanë qenë të shembur tërësisht.
Projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane të transportit hekurudhor.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10, nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë-Kosovë, ndërsa potencoi se mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur, nga Fushë-Kosova në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në kufirin verior të Republikës së Kosovës.
Ai shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian.
“Për vite me radhë ky projekt u përballë me sfidat dhe pengesa të shumta. Ato po tejkalohen falë vendosmërisë së drejtuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve të Hekurudhave të Kosovës — ndërmarrjes publike Infrakos, Ministrisë sonë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonomisë, nën ombrellën e të cilës është ndërmarrja publike Infrakos, dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se hekurudha është një infrastrukturë shumë e rëndësishme që na lidh me rajonin dhe me Evropën dhe hap shtegun e rritjes e të zhvillimit që synojmë, e që fatkeqësisht për një kohë të gjatë u injorua derisa u degradua.
Në fjalën e tij, ai shtoi se linja hekurudhore që po e përurojmë sot, dhe të tjerat të cilat do të vijnë pas saj, do të ofrojë një formë të re të transportit, më të shpejtë, më të lehtë, më të sigurt, më të lirë e më të pastër.
Përtej kësaj, kryeministri Kurti tha se me tren mundësojmë lëvizje më të lehtë të të gjithë qytetarëve, qasje më të mirë të punëtorëve në vende të punës, e të nxënësve dhe studentëve në shkolla, universitete e trajnime, derisa potencoi se investimi në transport publik veçanërisht ndikon pozitivisht në qasjen e grave në treg të punës, duke i kontribuuar kësisoj një ndër prioriteteve tona kyçe socio-ekonomike.
Në fund të fjalës, kryeministri Kurti nënvizoi se krahas rehabilitimit të linjës 10, tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë për të ndërtuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synojmë të ngremë portin e thatë që kthen kryeqytetin tonë në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe të qarkullimit, pra të shpërndarjes e të akumulimit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërkaq tha se jemi të gëzuar që po përurojmë rihapjen e hekurudhës Hani i Elezit – Fushë Kosovë, e cila në të ardhmen ofron mundësi më të mira për qytetarët dhe bizneset, transport më të lirë e më të shpejtë.
Edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se është i lumtur të marr pjesë në përurimin e kësaj linje hekurudhore, e cila siç tha ai Prishtinën, Kosovën e lidhë drejtpërdrejt me Shkupin dhe Selanikun, pra lidhet në korridorin e 10, i cili na lidhëdrejtpërdrejt me portin e Selanikut, e në veri pastaj lidhet prapë me korridorin e 10 duke na çuar drejtë Evropës.