Familja e Muhamed Çunit është kthyer në banesën e vet në Mitrovicë të Veriut, e cila ishte e uzurpuar që nga viti 2000. Ata thanë se e gjetën banesën në gjendje të mjerueshme, por iu gëzuan faktit se tani e tutje do të jetojnë në banesën e tyre.
Pas më shumë se dy dekadash Muhamed Çuni është kthyer në apartamentin e tij në veri të Mitrovicës, e cila i ishte uzurpuar nga serbët pas luftës. Pas 24 vitesh ai kthehet aty ku kishte bërë hapat e parë si fëmijë
Porsa hapi derën Çunit iu kthyen edhe shumë kujtime.
“Është një ndjenjë e veçantë, sepse as nuk e kemi paramenduar që mund të ndodhë kjo një ditë, por ja që ndodhi dhe unë u ktheva sot në banesën time pas 24 viteve. Unë sot erdha për herë të parë. Gjendja është e mjerueshme, mobilet janë të dëmtuara, janë shfrytëzuar, nuk janë mirëmbajtur por kjo nuk ka fare rëndësi sepse këto janë gjëra që mund të renovohen. E rëndësishme është që jemi kthyer në banesë pas kaq viteve”, tha ai për RTK-në.
Teksa shikonte çdo kënd të shtëpisë, nuk ka se si të mos i kujtohet kur ai dhe familja u dëbuan dhunshëm nga forcat serbe në vitin 2000.
“Kam ardhur me policë të UNMIK-ut, e kemi bërë evakuimin e familjes në mënyrë urgjente dhe nuk kemi pasur kohë të marrim as gjërat elementare. Kemi pasur edhe gjëra me vlerë, por tash kur erdha në banesë ato nuk po i shoh, sigurisht janë vjedhë apo janë hedh“, shtoi ai.
Në proces të rikthimit të pronave në veri janë edhe shumë familje të tjera.