Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rilind Gërvalla i ndëshkon pesë moderatorë të RTK-së duke i larguar nga ekrani

I dërguari i Vetëvendosjes në RTK, Rilind Gërvalla, ka larguar pesë moderatorë nga ekrani, me arsyetimin se kanë bërë reklama personale në rrjetet e tyre sociale.

Burime të Periskopit kanë treguar se Gërvalla i ka ndëshkuar me largim nga ekrani Fëllanza Çitakun, Fitore Rexhepin, Alba Merovcin, Jehona Zhitin dhe Arbër Zekën.

Ky penalizim që iu është bërë moderatorëve të disa emisioneve vjen pas një paralajmrimi që Gërvalla u kishte bërë stafit të RTK-së në fillim të muajit mars se nuk kanë të drejtë më të bëjnë reklama në rrjetet e tyre sociale, sepse duhet të ruhet profesionalizmi i televizionit publik.

“Duke marrë parasysh misionin e transmetuesit publik për të ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë e programeve tona, ju njoftojmë se është marrë vendim për tu ndaluar reklamimi i produkteve, shërbimeve, ose brendeve në rrjetet tuaja sociale. Ky vendim është marrë në përputhje me politikën tonë të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë të transmetuesit publik, si dhe për të shmanguar çdo ndërlidhje të mundshme mes interesave të jashtme dhe misionit tonë publik”, thuhet në këtë Email të RTK-së.

Ky konstatim i Gërvallës do të ishte korrekt, sikur të mos abuzonte me postin e tij në RTK për të prodhuar lajme të rrjeshme kundër mediave të Kosovës. Gërvalla që i shërben Vetëvendosjes në RTK kishte cituar një pseudomedium të Bosnjës se kinse media në Kosovë paguhen nga terroristi Milan Radoiqiç . Profesionalizmi dhe Gërvalla janë dy pole të kundërta në punën e tij në RTK që nga marrja e mandatit të Qeverisë Kurti.

Gërvalla ua kishte ndaluar të gjithë stafit të RTK që të bëjnë marketing në të gjitha rrjetet e tyre sociale.

“Vendimi vlen për të gjitha platformat e rrjeteve social përfshirë, por pa u kufizuar, në Facebook, Instagram, X, Tik Tok, LinkedIn dhe të tjera, duke garantuar që imazhi dhe misioni i transmetuesit publik të mbeten të paanshme dhe të pavarura nga influencat e jashtme, ashtu siç është e përcaktuar në Ligjin për RTK”, thuhej në shkresën që Gërvalla ua kishte dërguar stafit të RTK./Periskopi