Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, pesë ditë pas asaj që ndodhi, e ka adresuar reagimin e qeverisë pas deklaratave të Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe shteteve të QUINT-it në lidhje me shpronësimin e disa pronave në veri të Kosovës.
Ambasadori Rohde thotë që mënyra e procedimit të qeverisë, sipas avokatëve të Këshillit Evropian, mund të minojë edhe më tutje besimin midis komunitetit serb në Kosovë dhe institucioneve qeveritare.
“Pas reagimit të qeverisë ndaj deklaratës së Quint-it /BE-së / OSBE-së mbi shpronësimin, më lini të citoj raportin e Avokatëve Eminentë të Këshillit Evropian: Kjo mënyrë e procedimit nuk është kompatibile me sundimin e ligjit dhe është e prirë që të minojë edhe më tutje besimin midis komunitetit serb dhe institucionet e qeverisë kosovare”, ka shkruar Rohde në X.
“BE-ja, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës janë organizata në të cilat Kosova synon që të anëtarësohet. Në mënyrë që të lëvizim drejt kësaj, atëherë do të ishte ndihmesë nëse këshilla jonë e përbashkët do të merrej në konsideratë. Ne nuk jemi këtu për të dënuar, por për të përkrahur”, shkroi tutje ai.
Shtetet e QUINT-it, ku përfshihen ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, shprehin keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.
Në reagimin e QUINT-it dhe BE-së, thuhej se “disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.
“Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagim.
Tutje, theksohej se përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, “na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.
Qeveria e Republikës së Kosovës më pas pati reguar ashpër pas deklaratës së shteteve të QUINT-it, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe misionit të OSBE-së, lidhur me shpronësimet e disa pronave në veri të vendit.
Në reagimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se QUINT, BE dhe OSBE në mënyrë të gabuar kanë konstatuar gjendjen faktike dhe kanë bërë vlerësim ligjor të pabazuar në argumente.
Qeveria po ashtu thkeson së në rastin e shpronësimeve në komunat veriore, ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës.