Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot, kanë konfirmuar se ka ftohje raportesh mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së.
Ata deklaruan se këtë ia kanë thënë edhe kryeministrit Kurti, që nëse nuk dëgjon këshillat e miqve, atëherë ai është duke ecur vetëm.
Për RTK, Rohde ka deklaruar se kancelari Olaf Scholz, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja e italiane, Giorgia Meloni i kanë shkruar Kurtit duke i kërkuar që t’i dëgjojë këshillat.
Por ai tha se kjo nuk ka ndodhur.
“Nuk është mirë që të ecet vetëm. Që nga viti 1999, kemi qenë përkrah Kosovës dhe Gjermania i ka dhënë edhe një shtytje në Këshillin e Evropës. Si mund të ecë përpara Kosova nëse kemi ftohje raportesh, prandaj ato duhet përafrohen sërish”.
Sipas tij, është e qartë se sot ka ftohje raportesh me Qeverinë e Kosovës.
“Ne bëjmë kërkesa e ato nuk dëgjohen, e kjo nuk i ngroh raportet tona prandaj na duhet një burrështetas e jo një që flet për luftë gjithë kohën”, tha Rohde.
Edhe ambasadori i Francës, Guerot tha se Kosova duhet të jetë më praktike dhe konstruktive.
“Besoj që Qeveria e Kosovës do të mund të na dëgjonte më shumë që të jetë me pak e vetmuar, kemi qenë miqtë më të mirë dhe besoj që do ta vazhdojmë të jemi”.