Presidenti Bajram Begaj e ka cilësuar një akt të rëndë provokativ që ka për qëllim destabilizimin e rajonit, rrëmbimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës.
Ai shprehet se e dënon me forcë këtë akt dhe i bën thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Begaj ka një thirrje edhe për partnerët ndërkombëtarë që të ndërhyjnë për të parandaluar veprime të tjera, të ngjashme.
“Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.
E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.
Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për ç’tensionimin e situatës. Koordinimi me SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, shkruan Begaj.