Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, është sërish në qendër të vëmendjes për shkak të përhapjes së dezinformatave për situatën në Kosovë. Ai dezinformoi për gjoja përshkallëzimin e dhunës dhe për atë se gjoja “shqiptarët mund të shfrytëzojnë pushimet verore të studentëve të Universitetit të Mitrovicës së Veriut për të sulmuar veriun, veçanërisht urën mbi Ibër”.
“Këtë vit pres një shtrëngim në Kosovë deri në shtator, sepse e shoh nga reagimet e Quint-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) të cilët vetëm kërcënojnë Albin Kurtin, por nuk bëjnë asgjë. Zakonisht, kur kjo ndodh, gjërat marrin një kthesë të rrezikshme. Tani është koha ideale për të sulmuar (shqiptarët e Kosovës) në veri”, tha Vulin, duke shtuar se “universiteti në Mitrovicën e Veriut me 8,000 studentë, të cilët gjithmonë mbrojtën urën ndërmjet pjesëve jugore dhe veriore të Mitrovicës dhe parandaluan sulmet në veri, tani është në pushime verore.” Për të krijuar tension dhe frikë te popullata serbe, Vuli dezinformon se shqiptarët e Kosovës po planifikojnë sulm në veri. Pretendime të tilla janë të pabaza dhe pa fakte.
Po ashtu, Vulin ekzagjeron rolin e studentëve në Mitrovicën e Veriut, duke i portretizuar ata si mbrojtësit kryesorë të veriut të Kosovës krahas pranisë së vazhdueshme të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Punimet përfundimtare në urën mbi Ibër janë projekte rutinë të infrastrukturës, jo përgatitje për një sulm apo përshkallëzim të konfliktit, siç thotë Vulin. Ky dezinformim kontribuon më tej në përhapjen e informacionit të rremë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.
Kritika e Vulin se vendet e QUINT-it “vetëm kërcënojnë por nuk bëjnë asgjë” është një tjetër dezinformim. Në realitet, këto vende përdorin masa diplomatike si hapin e parë në parandalimin e konfliktit dhe trazirave.