Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka treguar se si ishte reagimi i policëve në momentet kur u shua polici Afrim Bunjaku.
Elshani ka thënë se ka pritur se nga ky rast do të ketë më shumë viktima, pas armatimit dhe profesionalizmit që është parë.
“Ne e kemi pritë që një rast i tillë ka me ndodhë, në fakt unë kam pritë më shumë viktima prej policisë. E keni pa, gjithë ai armatim! Është edhe profesionalizëm i Policisë. Ne kemi pasë fat që nuk kemi pasë më shumë viktima”, ka thënë Elshani.
“Prej atij momenti që Afrimi është vrarë, e deri në këtë moment, veç lajme të mira kemi marrë, nuk kemi kurgjo keq. E keqja ka qenë vrasja e tij, e krejt të mira kemi deri në këtë moment”.
Tutje ai ka treguar edhe përjetimet e para të kolegëve pasi u lajmërua se mbeti i vrarë Afrim Bunjaku.
“Për policët në fillim, në ato momentet e para që është lajmëru kolegu i plagosur e mandej i vrarë, ka qenë lajmi i rëndë. Por nuk ka pasur hezitim, se ne kemi punu në vazhdimësi dhe i kemi ditë ku i kemi pikat në vendin tonë”, ka thënë Elshani.
Sipas tij, reagimi i shpejtë i policisë ka sjellur situatën në të cilën jemi tani.