Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Rreth 300 infermierë kanë ikur jashtë Kosovës brenda tetë muajve

 
   

Trendi i ikjes së infermierëve nga Kosova po vazhdon edhe këtë vit. Rreth 300 infermierë kanë kërkuar të pajisen me dokumente nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) për të dalë jashtë vendit deri në fundin e gushtit të këtij viti. Ndërkaq, papunësia, kushtet e papërshtatshme të punës dhe pagat jo të dinjitetshme, janë disa nga arsyet që po i shtyjnë infermierët të emigrojnë jashtë shtetit tonë.

Nënkryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Leonora Bakija në një intervistë për KosovaPress, tregon se deri më 21 gusht të këtij viti janë lëshuar mbi 200 licenca të pa plastifikuara dhe afro 90 vërtetime të kodit etik për infermierët, dokumente këto të cilat kërkohen nga institucionet për të dalë jashtë vendit.

Bakija: Janë tërhequr 213 licenca të pa plastifkuara dhe 89 vërtetime të kodit etik

“Sipas administratës të Odës së Infermierëve të Kosovës dhe profesionistëve tjerë shëndetësor gjithsej deri më 21 gusht, janë tërhequr 213 licenca të pa plastifkuara dhe 89 vërtetime të kodit etik, të cilat këto dy dokumente nevoiten për infermierët që dalin jashtë vendit. Ndërsa, në vitin 2023 janë tërhequr gjithsej 713 licenca të pa plastifkuara dhe 116 vërtetime të kodit etik nga muaji janar deri në muajin dhjetor të vitit 2023…03:54 Zakonisht më shumë shkojnë nëpër Evropë, sidomos në Gjermani dhe në Zvicër”, thotë Bakija.

Bakija tregon se arsyet kryesore të ikjes së infermierëve jashtë Kosovës janë mungesa e vendeve të punës, kushtet e papërshtatshme, pagat e ulëta, rreziku në vendin e punës dhe mungesa e mbrojtjes nga institucionet.

Bakija: Papunësia dhe pagat jo të dinjitetshme arsyet kryesore të ikjes së infermierëve

“Arsyet kryesore të ikjes së infermierëve jashtë Kosovës është mungesa e vendeve të punës, kushtet e punës nën nivelin e dëshiruar dhe pagat jo të dinjitetshme. Gjithashtu, edhe rreziku në vendet e punës dhe mungesa e mbrojtjes nga institucionet…Secili institucion e ka kodin, e ka sa punëtorë guxon t’i marrë, nuk ka vende të lira të punës. Ka kuadro, dalin infermierë, ka nevojë për infermierë, mirëpo nuk ka vende të lira, nuk hapen konkurse apo nuk ka vende të lira për pranimin e punëtorëve të rinj”, tregon Bakija.

Nënkreytarja e OIK-ut thekson se nëse vazhdon ky trend i ikjes së infermierëve dhe mos të ndërmerren masa në përmirësimin e kushteve, Kosova rrezikohet të mbetet pa infermierë.

Bakija: Të hapen vende të punës dhe të ketë siguri në punë

“A rrezikon të mbetet Kosova pa infermierë nëse vazhdon trendi i ikjes së tyre dhe nuk ka kushte të punës? Patjetër që po, që mos të largohen infermierët dhe punëtorët shëndetësor, për të pasur sa më shumë punëtorë shëndetësor dhe cilësi në institucionet tona, atëherë ne duhet të marrim masa që të rriten pagat, të jenë më të dinjitetshme, të hapen vendet e punës dhe të ketë siguri në punë”, potencon Bakija.

Bakija potencon se qeveria duhet të merr veprime sa i përket përfshirjes së infermierëve në ligjin e ri për paga.

Sipas saj, mospagesa e duhur e kujdestarive, rrezikshmërisë në punë dhe festave, janë arsyet e tjera që po i shtyjnë infermierët të dalin jashtë vendit.

Bakija: Nuk paguhet rrezikshmëria në punë, nuk paguhen festat

“Qeveria, ministria dhe të gjitha institucionet bashkë, qoftë institucionet shtetërore, qoftë ato të pavarura duhet të bëhemi bashkë që të rregullojmë kushtet e punës. Infermierët kanë ankesa gjithmonë se janë të kategorizuar jo mirë në ligjin e ri të pagave. Kjo është një ndër arsyet kryesore që ata janë shumë të pa kënaqur. Nuk paguhen kujdestaritë ashtu si duhet, nuk paguhet rrezikshmëria në punë, nuk paguhen festat. Janë disa gjëra që ata po i shtyjnë që të dalin jashtë vendit”, thekson Bakija.

Gjatë vitit 2023, nga infermierët në OIK janë tërhequr 713 licenca të pa plastifkuara dhe 116 vërtetime të kodit etik.