Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rreth 500 milionë euro parashihen humbje nga masat e BE-së

Rreth 500 milionë euro supozohet se do t’i humb Kosova nga masat e ndërmarra nga komuniteti ndërkombëtar, meqë Qeveria Kurti ka refuzuar të rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë sa i takon çështjes në veri të Kosovës.

Krahas dëmeve në ekonomi, sistemi i drejtësisë do të pësojë humbje të mëdha, pasi Bashkimi Evropian konsiderohet si donatori kryesor në reformën e drejtësisë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, thotë se deri në fund të vitit, parashihet që Kosova t’i humb rreth 500 milionë euro.

Kreu i AKB-së, faktorin ndërkombëtar e sheh si bashkëpronarë të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
“Kosova po përjeton një kohë kur askush nuk ka menduar që pas çlirimit ne do të ballafaqohemi me masa sanksionuese kundër Kosovës nga miqtë të cilët kanë qenë dhe janë bashkëpronarë të çlirimit dhe të pavarësisë së vendit dhe kjo është si rezultat i një presioni, i cili po i jepet institucioneve të Kosovës, për të pranuar një kërkesë e cila shoqërohet lidhet me stabilizim të veriut të Kosovës. Në kuadër të kësaj, këto masa janë ndëshkuese kundër Qeverisë por që do t’i vuaj edhe qytetari e biznesi. Nga masat e MSA-së dhe nga konferencat tregtare që ka Kosova ose që do të ndalen fondet nga IPA, këto janë masa që do t’i ndiejmë nëse do të vazhdojë deri në fund të vitit secili nga ne, sidomos bizneset e prodhuesit eksportues dhe dëmi mund të jetë mbi 500 milionë euro dhe kjo ndoshta është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës në këtë situatë”, thotë Shahini.

E vendimi për targa dhe mbajtja e zgjedhjeve në veri të vendit pa praninë e serbëve, janë gabimet që sipas Shahinit janë bërë nga institucionet kosovare.

“Hapat e parë që mund të them se kanë gabuar duke tentuar ta shtrijnë sovranitetin përmes targave që ishte e drejtë e Kosovës por jo momenti. Momenti i dytë është kur Kosova i mbajti zgjedhjet në veri pa praninë e serbëve dhe pa dëshirën e tyre. Ne jemi shtet demokratik dhe në demokraci duhet të sundojë shumica aty ku edhe jeton, jo pakica mbi shumicën”, thotë Shahini.

E pasoja të mëdha sipas avokatit Ardian Bajraktari do të vërehen edhe në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, Bashkimi Evropian konsiderohet si donatori kryesor në fushën e drejtësisë.

“Fillimisht duhet bërë të qartë që Bashkimi Evropian është njëri prej donatorëve kryesor në mbështetje të proceseve reformuese, me theks të veçantë në fushën e drejtësisë por jo vetëm, në këtë drejtim natyrisht që paralajmërimet e tilla janë një sinjal tepër dëshpërues për vendin e për rrugën në të cilën ne si shtet synojmë ta arrijnë në strukturat euroatlantike, mirëpo po shpresoj se më në fund do të jetë një moment reflektimi nga ana e institucioneve tona, të cilat pavarësisht faktit që në aspektin ligjor dhe kushtetues kanë të drejtë të ndërmarrin veprime të tilla për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ajo që në fakt po kërkojnë partnerët ndërkombëtarë është që të jenë në koordinim dhe në bashkërendim me ta në lidhje me situata të tilla”, u shpreh Bajraktari.

Ai ka përmendur edhe fondet që janë dhënë nga Bashkimi Evropian në sistem të drejtësisë. Shembull ka marrë mbështetjen në digjitalizimin e të dhënave penale, ku qytetarët mund të pajisen online me certifikata për çështjet penale.

“Mbështetja e Bashkimit Evropian ka qenë jashtëzakonisht e madhe, është prej donatorëve kryesor në reformën e drejtësisë. Mbështetja ka qenë në dy drejtime; mbështetja direkte në programet dhe proceset e ndryshme, vlen të përmendet mbështetja në digjitalizimin e të dhënave penale por edhe mbështetja sa i përket sistemit qendror të evidencës penale me të cilën qytetarët mund të kyçen dhe të marrin certifikata për çështjet penale në formë online. Besoj që është një mbështetje jashtëzakonisht e madhe, shto faktin këtu që Bashkimi Evropian përmes programeve të saja ka ndihmuar edhe në procesin e hartimit të legjislacionit me komente e propozime të caktuara, të cilat e kanë bërë legjislacionin në pajtim të plotë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh Bajraktari.