Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi ka thënë se nuk ka përparim në politikën e jashtme.
Ajo thotë se fajin e ka ministrja e Jashtme.
Sipas saj, Donika Gërvalla nuk po i ndalë skandalet në këtë ministri.
“Donika Gërvalla prej që ka marr mandatin kemi parë vetëm skandale kjo e fundit ka qenë shumë qesharake duke e quajtur BE-në tigër prej letre kur ajo vetë vjen prej një shtet të BE-së, skandalet e saja nuk kanë të ndalur prandaj kemi 0 përparim në politikën e jashtme”, theksoi deputetja e LDK-së.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, javë më parë ka thënë se Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre, duke shtuar se ky institucion nuk është në gjendje dhe s’ka kapacitet për të garantuar siguri.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga BE. Pyetja kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është BE-ja unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.