Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rrezikon 10 deri në 20 vite burg/ Akuza mbyll hetimet për edukatoren që i theu këmbën 3-vjeçares

Majlinda Dehima, edukatorja e kopshtit privat “Stinët” në kryeqytet, është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës, dhe çështja penale kundër saj i ka kaluar për shqyrtim gjyqësor Gjykatës së Tiranës.

Sipas “Ora News”, vendimi për mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjyq është marë në fillim të muajit Prill 2024, ku tashmë pritet që edukatorja Dehima të përballet në gjykatë për akuzën e “Keqtrajtim të të miturit”, duke i sjellë pasoja të rënda në shëndet.

Kjo vepër penale parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim. Ndërkohë edukatorja Majlinda Dehima, vijon të qëndrojë në paraburgimin “Ali Demi” në Tiranë.

Majlinda Dehima u arrestua më 9 nëntor të vitit të kaluar, pas dorëzimit në Prokurori të akt-ekspertizës mjeko-ligjore, ndërkohë që ngjarja në fjalë kishte ndodhur që më 1 Nëntor.

Rasti i dhunës në kopshtin “Stinët” në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet u zbulua në emision “Stop” dhe solli jo vetëm indinjatën e opinionit publik, por zbuloi një zinxhir paligjshmërie.

Pas denoncimit, kopshti rezultoi i palicensuar, i cili u mbyll më pas me vendim të Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan se kishin neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçares.