
Ushtria amerikane tashmë mban rreth 68 persona në burgun e saj në Gjirin e Guantanamos, Kubë, në kuadrin e përpjekjeve për të ndihmuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare me dëbimet masive.
Komandanti i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr bazën detare amerikane në Gjirin e Guantanamos, informoi ligjvënësit të mërkurën për shifrën e përditësuar, por tha se nuk mund të jepte ende detaje se sa do të kushtojë pritja e një numri në rritje individësh.
Admirali Alvin Holsey tha se këto përpjekje përfshijnë ndalimin e individëve të përshkruar nga zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare si “të huaj kriminalë me rrezikshmëri të lartë” dhe në vazhdim mbajtjen e deri në 30,000 emigrantëve jo të dhunshëm të planifikuar për deportim.
“Po bëjmë një përqasje me faza”, u tha admirali Holsey anëtarëve të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, duke shtuar se baza tani ka kapacitetin për të mbajtur rreth 2,500 emigrantë jo të dhunshëm.
“Po punojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të kuptuar fluksin e emigrantëve”, tha ai. “Nuk do të shkojmë në 30,000 nëse nuk e dimë se ky do të jetë fluksi i emigrantëve që do të vijnë. Pra, ishim në pritje në këtë pikë”.
Komanda e Transportit e ushtrisë amerikane i tha Zërit të Amerikës të hënën se ka patur të paktën pesë fluturime emigrantësh për në Gjirin e Guantanamos, me avionë transporti ushtarak C-17 ose C-130.
Shumica e fluturimeve, sipas disa zyrtarëve, kanë patur 10-15 të ndaluar.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila e vizitoi këtë burg të premten e kaluar dhe mbikëqyri transferimin me fluturimin e tretë të të paraburgosurve në qendrën e paraburgimit, i ka përshkruar vazhdimisht ata si “vrasës dhe anëtarë të bandave të egra” nga Venezuela dhe si “më të këqijtë nga më të këqijtë”.
Në një postim në mediat sociale, sekretarja Noem tha se të paktën një nga emigrantët e dërguar në Gjirin e Guantanamos kishte pranuar autorësinë e një vrasjeje, ndërsa të tjerët ishin në kërkim për tentativë për vrasje, sulme fizike, trafik armësh dhe vepra të tjera penale.
Një zyrtar, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, tha se të gjithë individëve të mbajtur në Gjirin e Guantanamos u është dhënë urdhri përfundimtar i dëbimit. Por Departamenti i Sigurisë nuk ka bërë të disponueshme dokumente me akuzat apo detaje të tjera në lidhje me krimet që të arrestuarit akuzohen se kanë kryer.