Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rritet numri i pacientëve, mjeku jep këshilla për ditët e ardhshme

Temperaturat e larta që po mbretërojnë ditëve të fundit në vendin tonë, kanë bërë që të rritet numri i pacientëve, të cilët kërkojnë ndihmë mjeksore. Dr. Valdet Hashani, kryeshef i Departamentit të Mjekësisë Familjare, pranë Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare në Prishtinë, ka thënë për IndeksOnine se ditëve të fundit, është rritur numri i pacientëve për 20 për qind.

“Numri i pacientëve këtyre ditëve është rritur prej 10 deri në 20 përqind, që nuk është numër jashtëzakonisht i madh. Mirëpo përkundër asaj që javëve të kaluara, kemi pasur pacientë që kanë ardhur në mëngjes ose në mbrëmje, këtyre ditëve kemi pasur një fluks të pacientëve gjatë tërë kohës dhe gjatë kohës së nxehtit të madh”, tha ai.

Derisa ka treguar për simptomat me të cilat po paraqiten pacientët në këto ditë të nxehta, ka rekomanduar që pacientët të konsumojnë ujë të mjaftueshëm , me qëllim që mos të dehidrohen dhe t’i kufizojnë lëvizjet nga ora 10 deri në orën 17:00. Ndërsa ka rekomanduar edhe që gjatë këtyre ditëve të konsumohen më shumë ushqime të lehta, si sallata pemë e perime dhe t’i ikin karbohidrateve të shumta, pasi që ato ndihmojnë në shumimin e bakterieve.

“ Zakonisht këta pacientë kanë ardhur me simptoma si kokëdhimbje, marramendje, skuqje të trupit ose gojes, të vjella, por jo barkqitje. Kjo nënkupon që më tepër ka qenë si pasojë e dehidrimit ose largimit të lëngjëve, ose mos marrjes së lëngjeve në sasinë e duhur. Rekomandojmë që pacientët duhet të kujdesen që të marrin sasi të mjaftueshme të ujit, 2, 3 e më tepër litra, varësisht nga puna që bëjnë. Njerëzit që bëjnë punë fizike e djersisin më shumë, ata kanë nevojë deri në 10 litra ujë, kjo varet nga nevoja e organizmit”, tha Hashani..

Hashani thotë se fëmijet janë të rrezikuar nga ekspozimi në diell dhe se ata medoemos duhet t’i shmangen ekzpozimit në këto temperatura.

“Personat që janë më të rrezikuar gjatë ekspozimit në diell, janë fëmijet. Fëmijet deri në 6 muaj eksluzivisht duhet të largohen nga rrezet e diellit. Ndërkaq deri në moshen 2 vjeçare mund të rrijnë jashtë por vetëm nën hije, por asesi drejtpërdrejtë në temperaturat e larta. E ekspzoimit në diel duhet t’I shmangen dhe personat me sëmundje kronike, ata me diabet, tension, me sëmundje gastroentestinale dhe kardiologjike”, pohoi Hashani.

Meqenëse pritet që dhe në ditët në vijim, të jetë mot i ngjashëm, me temperatura të larta, Hashani theksoi se Qendra kryesore e Mjeksisë familjare, është e përgatitur, në rast të shtimit të fluksit të pacientëve.

“Numri i pacientëve është rritur për 20 për qind. Ne jemi të vetëdijshëm se jo vetëm me rritjen e temperaturave por dhe ardhja e mërgatës e rrit numrin e pacientëve. Ne si Qender Kryeore e Mjekësisë Familjare, së bashku me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, i kemi bërë përgatitjet dhe jemi të pajisur edhe me material shpenzues dhe me barnat, që nevojiten gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Ndërkaq ka një apel për pacientët, që mos t’i drejtohen vetëm Qendres Kryesore të Mjeksisë Familjare, por t’i drejtohen për ndihmë Qendrave të mjeksisë familjare në lagjet e tyre.

“ Kam një apel për qytetarët, që të mos rrisin numrin e pacientëve, vetëm në qendër, pasi që secila lagje ka qendrën e mjeksisë familjare dhe mund të drejtohen aty”, tha ai.