Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rritet numri i turistëve të huaj në Kosovë

 
   

Në muajt e verës, shtohet numri i turistëve të huaj në Kosovë. Vendi i vogël u ofron atyre gjëra interesante. Të huajve, përshtypje të veçantë u bën mikpritja dhe ushqimi i veçantë.

Muhammed Yasar Gurbuz është nga Turqia dhe për herë të parë po e viziton Kosovën.

Ky turist, në ditën e parë të vizitës u ndal te Xhamia e Çarshisë në kryeqytet.

“I shëtita vendet e Ballkanit dhe stacioni fundit ishte Kosova. Kur flasim për historinë, këtu është edhe tyrbja e Sulltan Muratit. Po shihet që Republika e Turqisë po e përkrah Kosovën edhe me restaurime të objekteve. Në vende të tjera me 1.50 euro nuk kemi mundësi të ushqehemi, kurse këtu edhe me më pak para mundesh”, tha Gurbuz.

Dashamirësia e qytetarëve dhe ushqimi janë ndër përshtypjet më të mira që marrin nga Kosova. Madje edhe ata që vijnë nga Panamaja.

“Po e vizitoj Kosovën dhe do të qëndroj këtu ndoshta 4 ditë. Populli këtu është shumë miqësor, edhe ushqimi është shumë i mirë, e moti po ashtu”, tha Marcel Herte, turist nga Romania.

“Po i vizitoj vendet e Ballkanit dhe dëshiroj të di më shumë rreth këtyre vendeve. Këtu jam shumë i befasuar, populli është shumë ndihmues. Këtu ka vende të bukura, edhe ushqimi është shumë i mirë. Çka është shumë me rëndësi për turistët, është se këtu po ndihemi shumë të sigurt”, tha një turist nga Panamaja.

Numri i turistëve të huaj të cilët vizitojnë Kosovën, është rritur nga viti në vit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në maj të këtij viti, 29 mijë e 833 vizitorë të huaj kanë vizituar Kosovën, që është një rritje për 43,4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ndërkaq, numri më i madh i vizitorëve është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.