Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Rritet numri i udhëtarëve në ANP, mbi 500 mijë vetëm në janar-shkurt

 
   

Numri i udhëtarëve që përdorin Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” për të fluturuar drejt vendeve tjera, ka shënuar ngritje për muajt janar e shkurt të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, teksa destinacionet më të kërkuara janë Zvicra, Gjermania, Turqia dhe Austria.

Zyrtarë të këtij aeroporti thonë se vetëm për dy muajt e parë të këtij viti janë regjistruar mbi gjysmë milion udhëtarë.

Zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara tha për KosovaPress se në muajin janar rritja e numrit të udhëtarëve është 22 për qind, teksa rritje ka shënuar edhe muaji shkurt 38 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gara: Në janar-shkurt udhëtuan mbi gjysmë milion persona

“Në muajin janar të vitit 2024 në krahasim me janarin e vitit 2023, kemi rreth 22 për qind në numër më të madh të udhëtarëve. Ndërkaq, në muajin shkurt kemi rreth 38 për qind më shumë udhëtar se sa 2023. Në muajin janar dhe shkurt, kanë udhëtuar, vajtje-ardhje mbi gjysmë milion udhëtarë. Destinacioni, i cili po vizitohet më së shumti, akoma mbetet shteti zviceran, pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, e kështu me radhë”, deklaron Gara.

Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara tregon për destinacionet që janë shtuar për këtë vit me qëllim të përmbushjes së kërkesave të qytetarëve. Ajo po ashtu thotë se kanë shtuar edhe një kompani ajrore.

Gara: Sivjet kemi destinacione të reja

“Sa i përket destinacioneve shtesë, ne gjatë këtij viti do të kemi destinacionin e Burgasit, Heraklion, më pas Kopenhagën, kemi Riga, po ashtu destinancionin për në qytetin e Izmirit. Kemi po ashtu edhe shtimin e një kompanie ajrore”, tha Gara.