Numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri ka arrit 11 milionë nga janari deri në nëntor të këtij viti. Ministrja e Turizimit në Shqipëri, Mirela Kumbaro vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë pranë Këshillit Global të Turizmit të qëndrueshëm, duke shtuar se edhe rritja turistike në vend po ndodh në mënyrë të qëndrueshme.
“Anëtarësimi pranë GSTC na konfirmon se vizioni është që turizmi duhet të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe akoma më shumë na e konfirmon këtë mënyra se si është transformuar ky sektor në botë pas pandemisë së Covid-19. Muaji i 11-të i vitit 2024 u mbyll me mbi 11 milionë vizitorë të huaj që kanë shijuar Shqipërinë në të gjitha shqisat, ndjesitë dhe përvojat e saj. Koinçidencë e bukur kjo 11 me 11, ose rreth 16% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Është e rëndësishme të theksojmë se këto janë rritje që po bëhen të qëndrueshme. Nuk na duhet të kemi miliona e miliona më shumë dhe të krenohemi se mbërritëm dhjetëra milionë. Na duhen ata milionë të cilët rrinë më gjatë, të cilët paguajnë më shumë, konsumojnë më shumë, shijojnë më shumë dhe vijnë gjatë gjithë vitit”, tha ministrja Kumbaro.
Konferenca e Turizmit të Qëndrueshëm me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Këshilli Global i Turizmit të Qëndrueshëm(GSTC), nga Organizata Botërore e Turizmit në Tiranë vjen në momentin e anëtarësimit të vendit Shqipërisë pranë Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm (GSTC) duke ofruar mundësi për strukturat hoteliere dhe turoperatorët që të certifikohen ndërkombëtarisht mbi standardet e qëndrueshmërisë.
“Me partnerët tanë të qeverisë zvicerane kemi një eksperiencë shumë të mirë sepse kemi zhvilluar modele të cilat nuk i kemi pasur traditë siç janë hotelet e shpërndara, modelet e para të të cilave kanë nisur dhe tipologjia urbane dhe rurale e Shqipërisë ndihmon për një gjë të tillë. Fakti që në 5-6 vitet e fundit kemi mbi 17 marka ndërkombëtare hotelerie. Meqë flasim për standarde dhe formalizim, pata kënaqësinë të nënshkruaj dje certifikatën e 2000-të brenda një periudhe pak vjeçare të kategorizimit të hoteleve të cilat gjithmonë e më shumë e kuptojnë që iu intereson të formalizohen sepse dhe përfitimet i kanë më të mëdha”, vazhdoi fjalën e saj ministrja Kumbaro duke bërë një bilanc të industrisë së hotelerisë dhe strukturave akomoduese në Shqipëri.
Kjo konferencë e vendos edhe njëherë kryeqytetin në hartën e vendeve organizatore të ngjarjeve të rëndësishme për turizmin, kësaj here me fokus zhvillimin e qëndrueshëm, pas mbledhjes së 70-të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Forumit të Investimeve duke i paraprirë një ngjarjeje tjetër të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar siç është pjesëmarrja e Shqipërisë si vendi i nderit i Panairit të Berlinit./kp