3
Ministri ‘‘i dorëhequr’’, Hekuran Murati, u pyet për vendimin e sotëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të rrymës.
Ai tha se qeveria s’e ka në kontroll çmimet e importit, ndërsa tha se aty ku kanë kontroll – në KEK – s’ka pasë rritje.
“Në pjesën ku Qeveria ka kontroll, së paku në afatshkurt sepse qeveritë e mëhershme kanë pasë kontroll ndoshta në mënyrë të tërthortë se si të ndikohet që të kemi furnizim më të qëndrueshëm e të përballueshëm…sa na përket neve gjatë këtij mandati, pra çka ka qenë në kontrollin e qeverisë është çmimi i energjisë elektrike që KEK e prodhon sa e shet. Pra, vazhdon të jetë çmimi i njëjtë 30 euro për megavat orë, asnjë cent s’është rritur si rezultat i ndonjë vendimi apo insistimi të qeverisë”.
Murati tha se çka ka ndikuar në rritjen e tarifave mund të jenë dy çështje: kostot operacionale që i miraton ZRRE dhe është çmimi i furnizimit nga importi.
“Ne si qeveri nuk kemi kontroll mbi çmimet e importit aq sa nuk kemi kontroll për çmimin e naftës”, tha Murati derisa i udhëzoi gazetarët t’i drejtohen ZRRE-së për këtë çështje.
“Ngjashëm është edhe me energjinë elektrike. Ka pasë rritje në bursat ndërkombëtare, nga ku blihet dhe importohet energjia elektrike. Jemi përkujdesur që te komponenta ku kemi mundësi që të mos shkaktohet rritje, jemi përkujdesur të mos ketë”.