Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar sot me zyrtarë të tri komunave të pjesës veriore të Mitrovicës, si dhe ministrat Nenad Rashiq e Elbert Krasniqi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook kryeministri ka thënë se takimi i sotëm vjen pas takimeve që i pati në Berlin.
Kurti ka theksuar se nikoqirët e takimit kanë deklaruar se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre.
Postimi i plotë:
Takim pune me nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniç dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević. Kësaj radhe bashkë me ministrat Nenad Rashiç dhe Elbert Krasniqi.
Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.
Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu.
Ky ishte bashkëbisedimi ynë i dytë në pak se dy javë. Komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi.
U jam mirënjohës nënkryetareve Ađančić, Tomanić dhe Bogojević për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.