Në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Londër, presidentja Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, me të cilin ka biseduar mbi rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Osmani ka thënë se Islanda ishte vendi që i dha hov rrugëtimit dhe përpjekjeve për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Në takimin me kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, diskutuam rëndësinë strategjike të finalizimit të suksesshëm të këtij rrugëtimi, duke theksuar se me anëtarësimin e Kosovës në KiE, triumfon angazhimi ynë për avancim të vazhdueshëm të të drejtave të njeriut”, tha ajo.
Më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, ajo nuk u përfshinë rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave në muajin maj, pasi Kosova refuzoi të hedhë hapa drejt themelimit të asociacionit.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e asociacionit, duke e cilësuar absurd një kushtëzim të tillë.
Këshilli i Evropës u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Ai u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Trupi më i njohur i KiE është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.