Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka pritur sot në takim delegacionin nga Këshilli i BE-së – Grupi i Punës për Ballkanin Perëndimor (COWEB), të cilët i ka informuar mbi zhvillimet e fundit në vend, ecurinë e qeverisjes dhe reformat në fushën e integrimeve evropiane dhe përgatitjet për Planin e Rritjes.
Bislimi ka thënë se Kosova po njeh progres në indikatorë të ndryshëm makroekonomikë ku ka shënuar rritje ekonomike, ulje të papunësisë, por edhe rritje të investimeve të huaja direkte e rritje të eksportit.
“Në rrugëtimin tonë evropian, kemi objektiv avancimin e marrëdhënieve me BE ku synojmë arritjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe përfitimin nga Plani i Rritjes që pritet të sjellë rreth 950 milionë euro në Kosovë për katër vjetët e ardhshme”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Në takim u bisedua edhe mbi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në procesin e dialogut në Bruksel, si dhe nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.