Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rrusta për përballjen Kurti – Vuçiq: Pas kaq vjetësh çlirim, i dhamë argument Serbisë të luajë rolin e viktimës

 
   

Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OBK) të thirrur nga Serbia, duke thënë se është hera e parë prej kaq vitesh çlirim që i ka dhënë argument Serbisë e presidentit Vuçiq të luajë rolin e viktimës.

Rrusta nga PSD ka thënë se për herë të parë Kosova ka një lider politik si Kurti që është “shumë i vogël sa i përket mënyrës si funksionon” duke theksuar se në këtë seancë Kosova u kritikua nga vendet mike si shkak i një kryeministri “që është i obsesionuar nga e kaluara”.

“Kosova është në anën e drejtë, ka fituar një liri me një përpjekje të gjatë, por për herë të parë, e kemi një lider politik që është shumë i vogël sa i përket mënyrës qysh funksionon. Është hera e parë prej kaq vitesh clirim që i kemi dhënë argument Serbisë e Vuciqit të luajë rolin e viktimës, hera e parë si Kosovë që kritikohemi prej vendeve mike, kemi një kryeministër i obsesionuar prej të kaluarës, që i tregon vendeve ndërkombëtare kush është Serbia, ata e dinë se kush është Serbia, për shkak se kanë intervenuar ndaj Serbisë për krimet të cilat kryeministri po mundohet se e ka të rëndësishme t’i shpalosë”, ka deklaruar Rrusta.

Sipas Rrustës, Kurti është një lider nacionalist e populist, i cili nuk po ndalet së përdoruri populizmin për interesa të tij.

“Nëse ndalemi te kjo mbledhje, është një lider shumë nacionalist, populist, i cili nuk po ndalet së përdoruri populizmin për hesape të veta”, ka vijuar ajo.

Rrusta thotë se momenti i ngritjes së çështjes së dinarit nuk është i duhur, pasi duhet të ketë veprime të duhura në momente të duhura.

“Qytetarët duhet me ditë që Kosova nuk fiton asgjë në çështjen e temës së dinarit, është e adresuar në kuadër të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që e ka pranuar Kurti. E ka pranuar ku parashihet të ketë konto, llogari financiare, ku Serbia mundet të transferojë paratë në dinar dhe ato konvertohen në euro”, ka theksuar Rrusta.

Për të, Kurti po e bën gjithë këtë për poena politike.

“Është duke u bërë për poena politike, krejt ky proces e ka produktin problematik, procesi po e ngrit si lider Kurtin, po bëjnë lojëra duke e kamufluar procesin e Asociacionit, draft i cili ka elemente më problematike sesa draftet e kaluara”.

Ndryshe, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që u mbajt të enjten në mbrëmje, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoritetit serb në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se Kosova po kryen spastrim të serbëve, përbëjnë propagandë të rreme dhe nxitje të tensioneve.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.