Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka thënë se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën në raport me Serbinë. Ai ka folur pas vendimit të qeverisë shqiptare për ta anuluar takimin e përbashkët të dy qeverive që planifikohej të mbahej nesër.
Rrustemi, duke folur në DPT te Fidani, ka thënë se Qeveria e Shqipërisë nuk duhet ta luajë rolin e ndërmjetësuesit dhe të jetë neutrale mes zhvillimeve të Kosovës dhe Serbisë.“Qeveria e Shqipërisë nuk e ka rolin që ta luajë ndërmjetësuesin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund ta luajë rolin e neutralit. Këtu kërkohet ndihma e Shqipërisë, sidomos e Shqipërisë”, ka tënë ai.
Rrustemi ka thënë se kryeministri shqiptar, Edi Rama po sillet ndaj Kosovës si ndërkombëtar.
“Edi Rama e ka sjelljen si ndërkombëtar, si fasilitues. Shqipëria e ka për detyrë historike me qenë në krah të Kosovës, në ditë të vështira dhe të mira, për t’i vënë në dispozicion resurset që i ka”, ka theksuar tutje ai.
“Shteti shqiptar dhe kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë në mbështetje të paekuivok të Kosovës. Shqipëria është shteti amë dhe duhet ta mbështesë Kosovën, nuk mund të jetë arbitër”, ka shtuar Rrustemi.