Radio Televizioni i Kosovës ka hapur konkursin për plotësimin e tri pozitave të anëtarëve të bordit të RTK-së nga komuniteti shqiptar.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 04.09.2024.
KËTU mund të gjeni thirrjen e plotë.
Hapja e këtij konkursi vie pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletinit, anëtares Arta Berisha dhe anëtarit tjetër, Safet Kabashi.
Dorëheqjet erdhën pas skandalit të publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake, Slobodna Bosna, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.
Boletini përmes një postimi në Facebook kishte thënë se “përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të pa verifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive”.
Anëtarja e bordit, Arta Berisha kishte thënë se ka qenë e papranueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së.
Ndërsa anëtari tjetër i bordit, Safet Kabashaj kishe thënë se arsyet e largimit i ka bërë të ditur në rrjetin social Facebook.
“Ju kërkoj ndjesë qindra kolegëve të vyer në RTK që po largohem pa arritur të ndihmojë në konsolidimin e shtëpisë sonë të përbashkët në kuptimin e financimit të qëndrueshëm, pronës së përhershme, kushteve meritore të punës, e që për ta përkthehet në ndjenjën e krenarisë së të qenurit pjesë e këtij institucioni”- ka shkruar ndër të tjera Kabashaj.
Më 17.08.2024 bordi i RTK-së kishte thirrur mbledhjen e radhës për të diskutuar ndër të tjera për caktimin e ushtruesit të ri të detyrës së drejtorit të përgjithshëm.
Sipas Boletinit gjatë mbledhjes kishte dallime të mëdha në qëndrime në mes anëtarëve të bordit që lidhen me skandalin e publikimit të artikullit nga Slobodna Bosna.
“Data 23 korrik kur ftova mbledhje urgjente pas shkrimit joprofesional, na gjeti të ndarë në dysh, ne të fushës së mediave, unë, Arta, Safeti dhe Birolli, ishim të qartë se ai artikull kishte shkelur standardet profesionale, nuk kishte vend në RTK, duhej hequr nga ueb-sajti, duhej kërkuar falje dhe duhej suspenduar të gjithë personat e involvuar”– ka shkruar ndër të tjera Boletini.
Në anën tjetër, pas dorëheqjes së Besnik Boletinit dhe Arta Berishës nga bordi i RTK kishte reaguar nënkryetarja e bordit, Albulena Mehmeti, duke i kritikuar se “brenga e të dy anëtarëve nuk ka qenë RTK por karriera e tyre personale”.
Ndërsa, ajo ka folur edhe lidhur me lajmin e publikuar në RTK si citim i ‘Slobodna Bosna’.
“Sa i takon lajmit të publikuar në RTK si citim i Slobodna Bosna kjo është një çështje e qartë tanimë. Mirëpo, mendoj se nuk është në detyrë të bordit të RTK të plotësojë as edhe kërkesat e as teket e asnjë portali privat për si menaxhohet nga brenda RTK dhe se çfarë vendos të transmetojë e çfarë jo dhe si të marr masat”- ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.
Një artikull i një medie boshnjake, i cili pretendon, ndër të tjera, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë nën kontroll edhe media kosovare, e që është publikuar nga RTK-ja, ka shkaktuar bujë në Kosovë që nga publikimi i tij më 22.07.2024.
Fillimisht reagimet në opinionin publik u nxitën marrë shkas edhe postimet e disa deputetëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët në rrjetin social Facebook shpërndanë artikullin e përkthyer nga RTK-ja ku thuhej se janë dy media në Kosovë të kontrolluara apo financuara nga Vuçiq.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi duke thënë se denoncon fushatën e rrezikshme akuzuese të deputetëve të LVV-së, Sali Zyba dhe Dimal Basha kundër “Periskopit” dhe “Nacionales”.
Bordi i RTK-së më 23 korrik mbajti mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi tha se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e cilësoi si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.