Radio Televizioni i Kosovës (RTK), ka konfirmuar raportimin e Tëvë1, se Zana Spahiu, ka dhënë dorëheqje nga posti i u.d drejtoreshës së mediumit.
Kjo u bë e ditur nga vetë mediumi, e vendimi u tha se është marrë “pas zhvillimeve të fundit në lidhje me publikimin e një lajmi në Televizionin Publik”.
Veprimi i saj vije pasi RTK ditë më parë ka publikuar një artikull nga një medium boshnjakë i cili përmend dy media kosovare se financohen nga Serbia për të dëmtuar Qeverinë e Kosovës.
Ky artikull më pas ishte shpërndarë nga disa deputetë të VV-së.
Për artikullin e publikuar janë distancuar edhe disa redaktor të mediumit publik, ndërsa Bordi i RTK-së kishte kërkuar nga menaxhmenti themelimin e një komisioni për sqarim të detajuar të rastit.
Për artikullin e publikuar ka reaguar edhe redaktori i lajmeve, Jeton Musliu, i cili edhe është distancuar nga ky publikim.
Reagime ka pasur edhe nga AGK e disa organizata ndërkombëtare.
Media ka pyetur edhe kryetarin e Bordit të RTK-së Besnik Boletini për të konfirmuar dorëheqjen por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.