Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka thënë se vendimi i BQK-së për dinarin është i betonizuar qartë edhe në Kushtetutën e Kosovës.
Ai gjatë qëndrimit në Washington ka thënë se ishte një ndër temat kryesore të diskutimeve dhe sipas tij, nuk kontestohet vendimi, por shqetësuese sipas tij është mosinformimi i aleatëve dhe moskoordinimi qeverisë me ta.
“Pavarësisht se BQK-ja është organ i pavarur, në anën tjetër, vendime të tilla kanë impakte në politikat e aleatëve në Kosovë dhe në interesat e tyre dhe në radhë të parë është mbizotërimi i paqes dhe sigurisë dhe mos nxitja e asnjë tensioni që mund të eskalojë në një diçka tjetër”.
“Është vendim që respektohet nga miqtë në kuptimin e asaj që është e domosdoshme, por ajo çka dëgjuam në Washington, si shqetësim kyç ishte moskoordinimi, mosinformimi dhe mosgjetja e një hapësire e cila e mundëson zbatimin e vendimit”, tha Rukiqi në “Edicioni Special”.
Tutje, ai tha se gjatë qëndrimit në Washington është folur edhe për dialogun me Serbinë e draft-statutin e Asociacionit.
“Kryesia e LDK-së e ka një qëndrim për dialogun. Draft-statuti që ka ardhur për Asociacionin, edhe në Prishtinë edhe në Bruksel edhe në Washington kemi shprehur shqetësimet tona, të cilat janë të mirëkuptuara”, tha ai.