Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rumania fillon rinumërimin e votave pas akuzave për shkelje në rrjetet sociale

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rumanisë e ka filluar të premten rinumërimin e të gjitha votave të hedhura në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pas akuzave se fituesi befasues, Calin Georgescu, e përdori TikTok-un jashtëligjshëm për t’i dhënë hov fushatës së tij.

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë urdhëroi rinumërimin e votave më 28 nëntor, pasi zyrtarë nga Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare kërkoi nga autoritetet të ndërmarrin hapa “urgjentë”, duke thënë se platforma në rrjetet sociale i mundësoi “trajtim të veçantë” Georgescut.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

TikTok-u e ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.

Calin Georgescu, kandidati i pavarur dhe prorus i ekstremit të djathtë, shënoi fitore befasuese në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor, duke i marrë afro 23 për qind të votave.

Georgescu pritet të përballet me Elena Lasconin, kandidaten e qendrës së djathtë dhe mbështetësen e fuqishme të integrimit euro-atlantik, në balotazhin e 8 dhjetorit, pasi që të dy morën më shumë vota se kryeministri majtist dhe favoriti, Marcel Ciolacu.

Pa përkrahjen e asnjë partie politike, fushata e Georgescut u mbështet kryesisht në platformën sociale TikTok, ku llogaria e tij kishte 1.6 milionë pëlqime.

Përveçse shprehte pikëpamjet e tij politike, Georgescu e përdorte gjithashtu TikTok-un për të postuar video ku shihej duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo dhe duke vrapuar në pistë.

Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare deklaroi pas vendimit të gjykatës se ka gjetur prova se “sulme kibernetike” ishin përdorur për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Georgescu pretendoi se institucionet shtetërore po tentojnë ta mohojnë vullnetin e popullit.

Demonstruesit protestuan në Bukuresht për disa ditë kundër Georgescut. Shumë njerëz e akuzuan presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Rumanisë.

Presidenti i Rumanisë ka kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse, përfshirë për çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.

I zgjedhur për një mandat pesëvjeçar, presidenti gjithashtu ka pushtet të mos i pranojë kandidaturat partiake për kryeministër dhe emërimet qeveritare për poste gjyqësore./Radio Evropa e Lirë