Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rusia e vazhdon evakuimin e banorëve nga rajoni i Kurskit

Zyrtarët në rajonin Kursk të Rusisë kanë urdhëruar të enjten evakuimin e detyrueshëm të banorëve nga i gjithë qarku i Glushkovit.

Guvernatori i rajonit të Kurskit, Aleksei Smirnov, u bëri thirrje të enjten banorëve të qarkut ta “kuptojnë gjendjen e tanishme dhe t’i ndjekin të gjitha udhëzimet e agjencive të sigurisë dhe të autoriteteve vendore”.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Të mërkurën, autoritetet në Ukrainë shprehën shqetësim për situatën humanitare në rajonin e Kurskit dhe njoftuan gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar rusët e zhvendosur, përfshirë ata të cilët duan të shpërngulen në Ukrainë.

“Ukraina vepron në përputhje me të gjitha normat e ligjit humanitar ndërkombëtar. Ne do t’u ofrojmë mbrojtje të nevojshme dhe mbështetje humanitare civilëve të rajonit të Kurskit”, shkroi në Facebook Ministria ukrainase për Riintegrim.

Një qendër për shpërndarje të ndihmës humanitare në qytetin jugor rus, Kursk, në të cilën shihen vullnetarët duke shpërndarë ndihma për banorët e zhvendosur, pas nisjes së inkursionit ukrainas në rajon.

Qarku i Glushkovit ndodhet në afërsi të qarkut të Sudzhas, i cili ka qenë fushëbeteja e luftimeve më të ashpra prej se Ukraina e nisi një inkursion në tokën ruse më 6 gusht. Ky qark kishte një popullsi prej rreth 20.000 banorësh para luftës.

Zyrtarët ukrainas pretendojnë se i kanë nën kontroll 74 vendbanime dhe një sipërfaqe prej 1.000 kilometra katrorësh të territorit rus.

Pretendimet nga fushëbetejat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Rusia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme federale në rajonin e Kurskit dhe gjendje të jashtëzakonshme rajonale në rajonin fqinj të Belgorodit. Moska gjithashtu ka shpallur “operacion antiterrorizëm” në rajonet Kursk, Belgorod dhe Briansk.

Ndërkohë, të enjten, ushtria ukrainase raportoi se Rusia i ka sulmuar së paku nëntë rajone ukrainase me raketa dhe me dronë gjatë natës. Shumica e tyre u shkrepën nga bazat ajrore brenda Rusisë, sipas saj.

Njëzet e nëntë dronë u “shkatërruan”.

Mbrëmjen e së mërkurës, ushtria ukrainase konfirmoi se kreu sulme me dronë ndaj katër fushave ajrore në rajonet Voronezh, Kursk dhe Nizhni në Rusi, duke shkaktuar dëme.

Një burim nga agjencia ukrainase e sigurisë tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë se ai ishte sulmi më i madh ndaj fushave ajrore të Rusisë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.