Forcat ruse kanë shënjestruar dhjetëra vendbanime në rajonin jugor ukrainas të Hersonit, tha një zyrtar, teksa një dron rus goditi një autoambulancë duke plagosur shoferin.
Forcat ruse po ashtu kanë gjuajtur të paktën një raketë lundruese dhe 11 dronë të tjerë në katër rajone në mbarë Ukrainën. Por, forca ajrore ukrainase pretendoi se të gjithë dronët dhe raketat u rrëzuan.
Më herët gjatë 27 korrikut, Ukraina lëshoi pothuajse 20 dronë ndaj caqeve në rajonet kufitare ruse, teksa autoritetet ruse pretenduan se i kanë rrëzuar të paktën 14 prej tyre.
Të paktën dy persona u plagosën, thanë zyrtarët rusë, kur një dronë ukrainas lëshoi mjete shpërthyese në rajonin e Kurskut.
Sulmet me dronë dhe ato ajrore nga të dyja palët vijnë në kohën kur forcat ukrainase po përballen me vështirësi që të zmbrapsin forcat ruse në disa lokacione përgjatë vijës së frontit të gjatë prej 1.100 kilometrash.
Komandantët ukrainas thanë se situata në qytetin Pokrovsk, në rajonin lindor të Donjeckut, është kritike, sikurse është edhe në qytetin e Çasiv Jarit në veri, ku forcat ruse kanë avancuar në kanalin ujor që ndan qarkun lindor nga pjesa tjetër e qytetit.
Me pushtimin rus të Ukrainës që është në muajin e 28-të, numri i viktimave nga të dyja palët po vazhdon të rritet.
Ukraina nuk ka publikuar të dhëna të numrit të viktimave apo të plagosurve, edhe pse presidenti Volodymyr Zelensky tha në shkurt se të paktën 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë, shifër që vlerësohet të jetë e vogël në krahasim me numrin real të të vrarëve.
Zyrtarët perëndimorë, ndërkaq vlerësojnë se viktimat ruse – të vrarë dhe të plagosur – kalojnë shifrën prej 500.000. Shifrat e fundit zyrtare të publikuara nga Rusia ishin ato të shtatorit të vitit 2022, kur Moska tha se numri i ushtarëve të vrarë ishte 5.937./rel