![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/08/ryshfeti-lufte-tradhti-e-larte-zelensky-i-shkarkon-shefat-e-te-gjitha-qendrave-te-rekrutimit-per-lufte_64d66d7b2465b.png?resize=750%2C375&ssl=1)
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shkarkuar të premten shefat e të gjitha qendrave për rekrutim në të gjitha rajonet e vendit, nën akuzat për korrupsion të cilat, sipas tij, mund të cilësohen si tradhti e lartë.
“Po i shkarkojmë të gjithë komisarët rajonalë të ushtrisë”, tha Zelensky në rrjetet sociale, pas një takimi me lidershipin e lartë të ushtrisë.
“Ky sistem duhet të udhëhiqet nga njerëz të cilët e dinë saktësisht se çfarë është lufta dhe pse cinizmi dhe ryshfeti në kohë luftë është tradhti e lartë”, shtoi ai.
Kievi është duke i rekrutuar ukrainasit në batalione për sulme në kundërofensivën e saj kundër forcave ruse, në përpjekje për ta çliruar vendin nga pushtimi i trupave të Moskës.
Ky vendim pasqyron përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar ryshfetin dhe korrupsionin, si pjesë e reformave të thella të kërkuara nga institucionet e Perëndimit, si Bashkimi Evropian, të cilit Ukraina shpreson t’i bashkohet.
“Gjatë inspektimit të qendrave të rekrutimit, agjencitë e sundimit të ligjit zbuluan raste të korrupsionit”, tha presidenca ukrainase në një komunikatë për media.
Presidenca shtoi se këto “përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të Ukrainës dhe e minojnë besimin në institucione shtetërore”.
Këshilli i Sigurimit i Ukrainës rekomandoi që shefi i ushtrisë t’i përzgjedhë zëvendësuesit të cilët kanë përvojë në fushëbetejë dhe të cilët janë verifikuar nga shërbimet inteligjente të Ukrainës.