Shishet plastike kanë një përdorim të gjerë. Shishja mbushet e rimbushet me ujë, ngrohet, futet sërish në frigorifer e përdoret pa fund.
Shishet plastike përdoren edhe në furnizimin me qumësht që mundësojnë gratë e fshatit dhe kalojnë nga dora në dorë e buza në buzë.
Me siguri çdo amvisë mendon se një shishe plastike nuk është aq e rrezikshme për shëndetin në krahasim me rreziqet e tjera që na kanosen çdo ditë.
Sigurisht që ekspertët e AgroWeb.org kanë paralajmëruar më herët për rrezikun e ripërdorimit të shisheve të ujit, por së fundmi, studiuesit e huaj i janë rikthyer kësaj çështjeje.
Tani në stinën e verës, përdorimi i shisheve plastike është tepër i lartë për shkak të nevojës për hidratim.
Sa herë duhen rimbushur shishet plastike të ujit?
Këto shishe për fat të keq përmbajnë Bisfenol A, një substancë kimike që lëlshohet në ujë dhe kthehet në strehën e shumë baktereve të rrezikshme.
Në një përdorim të vetëm, këto baktere mblidhen pikërisht në grykën e shishes, aty ku vendosim buzët, ndaj mund ta imagjinoni se çfarë ndodh me ripërdorimin e këtyre shisheve.
Gryka e shishes nuk pastrohet dot kurrë mjaftueshëm dhe mbetet gjithmonë e lagësht duke u kthyer në një ‘pistë vallëzimi’ për bakteret.
Kjo substancë kimike ka një ndikim tepër të rrezikshëm tek hormonet e njeriut, sidomos kur shishja ngrohet nga dielli ose ripërdorimi.
Për pasojë, ekspertët rekomandojnë që nëse u jepet mundësia, të mos blini shishe uji nga ato që kemi parë rëndom të ekspozuara jashtë në diell për orë të tëra në shumë markete të vendit.
Ekspertët këshillojnë përdorimin vetëm një herë të shishes plastike dhe zëvendësimin e saj me shishe qelqi.
Në këtë mënyrë, ju do të mbroni jo vetëm shëndetin tuaj por edhe ambientin ku jetojmë./albinfo.ch