Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sami Lushtaku reagon për deklaratat e ministres Gërvalla: Më shumë kam miq në VV se në LDK

 
   

Lidhja Demokratike e Kosovës u kritikua për lidhje të fuqishme me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, para pak ditësh nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Gërvalla derisa kritikoi LDK-në, tha se disa zyrtarë të kësaj partie kanë qëndrime të afërta më PDK-në dhe se po ashtu ata kanë lidhje të fuqishme me Sami Lushtakun.

Por këto deklarata të ministres Gërvalla i ka quajtur qesharake, zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku.

Lushtaku tha se ai ka miq në të gjitha partitë dhe jo vetëm në LDK.

“Është qesharake deklarata e ministers Gërvalla. Unë kam shok edhe në Vetëvendosje, nuk kam vetëm në LDK. Ne partitë politike kemi miq e shok”, u shpreh ai.

Tutje, Lushtaku deklaroi se bazuar në deklaratat e ministers Gërvalla, ajo ka dëshirë të merret me të, derisa e ftoi atë për takim ku edhe mund të flasin.

“Hajde ulemi bashkë, është banale me thënë ashtu. A nuk duhet unë me pas miq në partitë tjera, është për keqardhje deklarata e saj. Më shumë kam miq në VV se në LDK”, ritheksoi ai.

Ndryshe, Gërvalla para disa ditësh kishte deklaruar se largimi i saj nga LDK nuk ka qenë i rastësishëm.

“Presidentja Osmani dhe unë nuk jemi larguar papritur nga LDK. Ne kemi luftuar me vite të tëra kundër të tjerëve për degradimin total të kësaj partie. Që nga viti 2013 bashkë me Osmanin dhe të tjerë jemi përpjekur ta ndalim degradimin e partisë, por nuk kemi mundur. As emrin nuk duan ta kenë LDK-në. Lidhjet me të fuqishme i kanë me Sami Lushtakun”, pohoi ndër tjera ajo.

Lidhur me deklaratat e ministres Gërvalla, media ka tentuar ta marrë edhe një koment nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit.