Komisionari evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi para fillimit të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, ka deklaruar se ky takim është vazhdimi i atij që kanë pasur në Tiranë, ku është diskutuar mundësia e planit të rritjes.
Sipas tij plani i rritjes është një realitet.
Varhelyi: Plani i rritjes tashmë do të fillojë të sjellë rezultate
“Ky takim është vazhdimi i atij që kemi pasur në Tiranë, ku kemi diskutuar mundësinë e planit të rritjes dhe sesi rajoni mund të punojë së bashku si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Sot plani i rritjes është një realitet. Sot plani i rritjes është në lëvizje të plotë, kështu që tani do të diskutojmë se si do të zbatojmë të gjitha prioritetet që rajoni ka caktuar për veten e tij për këtë vit dhe më e rëndësishmja, SEPA – Zona e vetme e pagesave në euro, në mënyrë që nga dita e parë e vitit të ardhshëm mund të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset e gjithë këtij rajoni. Kështu që plani i rritjes tashmë do të fillojë të sjellë rezultate ndërsa flasim”, tha ai.
Liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti po mbahet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në takimin e liderëve rajonalë po marrin pjesë edhe komisionari Varhelyi, dhe ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, O’Brien.
Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në – dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.