Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sandulloviq: Unë isha dy herë me fat e Navalny nuk pati fat herën e dytë

Rusët edhe të dielën dolën t’i bëjnë homazhe liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, pavarësisht se të shtunën mbrëma u arrestuan mbi 400 persona nga policia e Moskës.

Navalny, i cili po vuante një dënim 19-vjeçar me akuzat për ekstremizëm, vdiq papritur në burg të premten.

Pasi vendosën lule në monument Yelena dhe Varvara thanë se për to Navalny ishte një hero.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë përgjegjës për vdekjen e tij presidentin rus, Vladimir Putin, ndërkaq Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve ruse që të kryejnë hetime të besueshme.

Ndërkohë politikani opozitar serb Nikolla Sandulloviq, në rrjetin social X postoi foton e pas lirimit të tij nga burgu dhe rrahjes brutale nga BIA serbe për shkak se vendosi lule në varrin e një vajze shqiptare të vrarë nga forcat serbe në Prekaz, ndërsa anash vendosi edhe fotografitë e Navalnyt i cili ishte kritik i ashpër i Vladimir Putinit dhe që u humbi jetën në burg.

“Nuk ka ndonjë dallim apo dyshim! Qëllimi ishte i njëjtë. Nikolla Sandulloviq ishte dy herë me fat, e Navanly nuk ishte me fat në herën e dytë”, tha ai.

Vdekja e papritur e Navalny, 47 vjeç, ishte një goditje për shumë rusë, të cilët i kishin varur shpresat për të ardhmen te rivali më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin.

Lajmi për vdekjen e Navalny erdhi një muaj para zgjedhjeve presidenciale në Rusi që pritet t’i japin presidentit Vladimir Putin edhe gjashtë vjet në pushtet.

Ekipi i Navalny tha të shtunën se politikani ishte “vrarë” dhe akuzoi autoritetet ruse për pengimin e qëllimshëm të lirimit të trupit të tij. /Tëvë1/

Tags: