Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sarrazin kritikon diplomacinë e Kosovës

 
   

Gazetari i njohur gjerman, Michael Martens kritikoi ashpër Gjermaninë që nuk e mbështeti mjaftueshëm Kosovën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. E këto komente nuk i pëlqyen të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili tha se Kosova nuk duhet të presë që shteti gjerman t’ia bëjë punën e saj diplomatike.

Në Reporting House, ambasada gjermane në Prishtinë organizoi një panel diskutimi për marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

Në këtë organizim pjesëmarrës ishte edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, së bashku me publicistin Veton Surroi dhe njohësen e çështjeve të sigurisë, Donika Emini.

Ky panel u moderua nga gazetari i njohur gjerman, Michael Martens, i cili pati edhe disa kritika për shtetin e tij.

Martens u shpreh i zhgënjyer se Gjermania nuk bëri mjaftueshëm që ta ndihmojë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia kthyer pronën Manastirit të Deçanit.

“Raporti i Dora Bakoyannis ishte i qartë se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por në fund u kërkuan edhe disa kritere shtese. Fatkeqësisht Gjermania nuk e mbështeti Kosovën dhe kjo e ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e vendit tim. Unë e shoh që qytetarët në Kosove e kane humbur paksa besimin te Gjermania pas këtyre zhvillimeve”, tha gazetari Martens.

E këto komente nuk i pëlqyen diplomatit gjerman, Manuel Sarrazin.

Sarrazin për çështjen e Manastirit te Deçanit tha se vendimi është marrë shumë vonë dhe se sipas tij nëse do të bëhej një gjysmë viti më herët Kosova do të ishte anëtarësuar në KiE.

“Në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse e humbni momentin, atëherë mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan. Deçani (çështja e Manastirit) erdhi vonë. Unë jam mjaft i sigurt. Ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane. Nëse e ka bërë një gjysmë viti më parë, ju do të ishit në Këshillin e Evropës. Është bërë vonë. Kjo është jeta. Bëni gjërat në kohë që të ju njihen, përndryshe gjendja ndryshon”, tha diplomati Sarrazin.

Kritik për këtë çështje u shpreh edhe publicisti Veton Surroi.

Surroi tha se Vuçiq arriti t’i bind me sukses disa shtete që të mos e mbështesin Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Ne kemi arritur në një pikë kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ofensivën e tij diplomatike vizitoi disa vende evropiane, përfshirë Francën, dhe iu tha se Kosova nuk ka të drejtë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, dhe kështu ndodhi. Pra këtu mund ta shihni se si ka ndryshuar balanci brenda Bashkimit Evropian”, tha Surroi.

Kurse Donika Emini ngriti shqetësimin që Kosova më në disa çështje nuk po mund të llogaris as në mbështetjen e aleatëve ndërkombëtar.

“Kosova bëri përpjekje serioze për tu bërë anëtare e Këshillit e Evropës, për ta shtyrë këtë proces përpara. Por, e pamë që në fund rregullat e lojës ndryshuan. Shqetësimi im më i madh është se Kosova më herët është penguar nga shtetet mos-njohëse por tani në disa çështje nuk mund të llogaris as në mbështetjen miqve ndërkombëtar”, tha ekspertja e sigurisë, Donika Emini.

E duke iu përgjigjur parafolësve, Sarrazin tha mes tjerash se Kosova nuk duhet të presë që shteti gjerman t’ia bëjë punën e saj diplomatike, por duhet ta bëjë vetë.