Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SBASHK’u proteston më 1 maj: Qasje shumë e keqe e Qeverisë Kurti ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve

SBASHK’u ka kritikuar Qeverinë për “qasjen shumë të keqe të Qeverisë Kurti ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve”.

“I nderuar kryeministër Kurti, ministër Murati dhe ti ministre Nagavci para disa viteve kur shkonim në takime ndërkombëtare sindikale dhe bashkëbisedonim me kolegët nga disa shtete të rajonit krenoheshim duke parë se qëndronim mirë me pagat , por edhe me benifitet që sillte Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës. Krenoheshim edhe për takimet dhe dialogun e sinqertë me institucionet qendrore e lokale. Mirëpo në qeverisjen tuaj gjërat ndryshuan dhe ju i nderuari Kryeministër, por edhe ministri Murati e ministrja Nagavci keni qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të tyre legjitime.”

Sindikata ka thënë se Ligji për Pagat nuk i realizoi pritjet e tyre “të arsyeshme” dhe ka pasur kritika për kabinetin e drejtuar nga kryeministri Kurti.

“Ju vepruat krejt ndryshe. Punuat Ligjin për paga që nuk realizoi pritjet tona të arsyeshme. Ju lëvizët në mënyrë ironike vlerën e koeficientit të pagave. Ju nuk e bëtë Ligjin për sigurime shëndetësore. Ju bëtë ndryshime e plotësime në Ligjin për skemat pensionale dhe, si me qëllim, mohuat të drejtën e fituar nga neni 8 , paragrafi 6 që vitet e 90-ta i pranonte arsyeshëm si vite kontributdhënëse. Ju për t’i shuar sindikatat shkelet Ligjin për organizimin sindikal dhe shlyet tërë anëtarësinë duke i obliguar nëse duan të kenë sindikatë të regjistrohen në platformën e Kosova , që nuk ka ndodhur në as një vend të botës. Ju nuk bëtë asgjë as për përmirësimin e kushteve të punës që do të ndikonin shumë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë. Ju paralizuat punën e Këshillit Ekonomik Social. Ju nuk doni të nënshkruani tani e sa kohë Marrëveshjen Kolektive që garanton të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe atë privat.”

Si reagim ndaj kësaj qasjeje, SBASHK ka thënë se punëtorët e arsimit dhe të tjerët do të protestojnë më 1 maj.

“Si reagim i kësaj qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve do të ketë protestë më 1 maj Prandaj, Qeveri ju bëjmë apel ndryshoni qasjen e keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve tjerë në sektorin publik e privat dhe kështu do të parandaloni veprimet tjera sindikale.”