Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Së paku 100 të vdekur nga zjarri në një dasmë në Irak

Së paku 100 njerëz kanë vdekur dhe 150 të tjerë janë lënduar si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një dasmë në veri të Irakut.

Qindra njerëz po festonin në Al-Hamdaniya në provincën veriore të Irakut, Nineveh, kur shpërtheu zjarri mbrëmjen e 26 shtatorit.

Ende nuk dihet se çka e shkaktoi zjarrin, por raportimet e para thonë se erdhi si pasojë e ndezjes së fishekzjarrëve.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Irakut, INA, raportoi se numri i të vdekurve ka arritur në 100 dhe se më shumë se 150 të tjerë janë lënduar, sipas të dhënave të autoriteteve lokale në Nineveh.

Numri i viktimave u konfirmuar për agjencinë e lajmeve AFP edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Irakut, Saif al-Badr.

Badr tha se shumica e të lënduarve po trajtohen për djegie apo për mungesë të oksigjenit.

Në një komunikatë për media, autoritetet irakiane thanë se panelet e parafabrikuara brenda sallës ku u mbajt dasma ishin “tejet të djegshme dhe nuk i përmbushnin standardet e sigurisë”.

Panelet, të cilat përmbanin plastikë, lëshuan gazra toksike pas djegies, thanë ato.

“Disa pjesë të tavanit ranë si pasojë e zjarrit, për shkak të materialit të lirë dhe tejet të djegshëm”, sipas autoriteteve.

Rania Waad, një mysafire në dasmë, e cila pësoi djegie në dorë, tha se derisa dhëndri dhe nusja “po vallëzonin dalëngadalë, fishekzjarrët filluan të preknin në tavan dhe se tërë sallën e mori flaka”.

“Ne nuk mund të shihnim asgjë. Na zihej fryma dhe nuk dinim si të dilnim jashtë sallës”, tha 17-vjeçarja.

Në një komunikatë të shkurtër për media, kryeministri i Irakut, Mohamed Shia al-Sudani, iu bëri thirrje autoriteteve shëndetësore dhe ministrave të brendshëm “të mobilizohen” për t’i ndihmuar viktimat e zjarrit./REL