Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Së paku 13 të vdekur nga zjarri në një klub nate në Spanjë

Së paku 13 njerëz kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Murcia në juglindje të Spanjës, njoftuan autoritetet të dielën.

Autoritetet kanë frikë se numri mund të rritet ende, për shkak se ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar nën rrënojat e zjarrit.

Zjarri nisi në orët e hershme të së dielës në klubin e natës Teatre në Atalayas, në periferi të qytetit, njoftoi shërbimi emergjent në rrjetin social X.

Katër persona të tjerë u lënduan gjatë këtij incidenti.

Në pamjet e publikuara nga shërbimi emergjent shfaqën zjarrfikësit duke tentuar ta shuajnë zjarrin brenda klubit të natës. Zjarri e ka shkatërruar një pjesë të kulmit.

Jose Ballesta, kryetari i Murcias, tha se “do të nxirren ende trupa nga rrënojat”, e cila është një detyrë e vështirë, sipas tij, për shkak të “rrezikut të të shembjes”.

“Ndihemi të shkatërruar”, tha ai për televizionin spanjoll 24h, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po i kërkojnë ende personat e raportuar si të zhdukur.

Ai tha se zjarri ishte ndezur rreth orës 6:00 të dielën dhe se ekipeve të shpëtimit iu deshën tri orë për ta vënë nën kontroll atë.

Ballesta theksoi se nuk dihet shkaktari i zjarrit dhe se ekipet po punojnë për ta kuptuar këtë./Rel/