Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Aktuale

Së paku 60 njerëz të vrarë në sulmin pranë Moskës, ISIS merr përgjegjësinë

Së paku 60 njerëz u vranë, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë zyrtarët rusë.

Autoritetet shëndetësore thanë se rreth 145 të tjerë u plagosën – prej tyre rreth 60 në gjendje kritike.

Ngjarja ndodhi në sallën Crocus City në Krasnogorsk, mbrëmjen e së premtes.

Reuters dhe agjenci të tjera lajmesh thanë se grupi militant, Shteti Islamik (IS), ka marrë përgjegjësinë për sulmin në disa kanale në Telegram, të lidhura me të.

Sipas deklaratës së IS-it, sulmuesit “janë tërhequr në bazat e tyre”.

Sulmi ishte më vdekjeprurësi në Rusi që nga rrethimi i shkollës në Beslan, në vitin 2004.

“Trupat e të vdekurve janë duke u ekzaminuar. Është vërtetuar tash për tash se më shumë se 60 persona kanë vdekur në sulmin terrorist. Fatkeqësisht, numri i viktimave mund të rritet”, tha Komiteti Hetimor, i ngarkuar me mbikëqyrjen e reagimit ndaj sulmit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është duke u informuar rregullisht për situatën.

“Putin u informua në minutat e parë për atë që ndodhi në Crocus City”, tha Peskov dhe shtoi se ai i ka dhënë “të gjitha udhëzimet e nevojshme”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë, siç tha, “këtë sulm të përgjakshëm terrorist”.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan persona të armatosur duke hyrë në sallë dhe duke hapur zjarr, përpara fillimit të një koncerti nga grupi muzikor rus, Piknik.

RIA-Novosti raportoi për së paku tre sulmues të përfshirë, ndërsa Interfax për së paku pesë. Vendndodhja apo fati i tyre është ende i paqartë.

Në vendngjarje ndodhen forca speciale të sigurisë dhe policë të shumtë.

Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi se ka hapur tashmë një rast penal.

Gazeta New York Times citoi zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se inteligjenca amerikane ka marrë informacione në mars se një degë e IS-it me bazë në Afganistan – e njohur si Shteti Islamik-Khorasan – po planifikonte sulm në Moskë.

Salla ku ndodhi sulmi, është një vend i njohur koncertesh, ku mbahen aktivitete artistike e të tjera.

Interfax raportoi se zjarri u përhap në 12.900 metra katrorë të ndërtesës, ndërsa çatia e saj u shemb pjesërisht.

“Një tragjedi e tmerrshme ndodhi sot në Crocus City”, citoi Reuters kryebashkiakun e Moskës, Sergei Sobyanin. “Më vjen keq për të dashurit e viktimave”, tha ai.

Ambasada amerikane në Moskë lëshoi një deklaratë, ku tha se është “tronditur” nga sulmi dhe shprehu “ngushëllime të sinqerta” për popullin rus.

Ambasada këshilloi qytetarët amerikanë që të shmangin zonën e sulmit.

Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se Kievi nuk është i përfshirë.

Drejtoria e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës – vendit që për më shumë se dy vjet lufton kundër pushtimit rus – pretendoi pa ofruar asnjë provë se vetë shërbimet speciale ruse e orkestruan sulmin si “provokim të qëllimshëm të regjimit të Putinit” – për ç’gjë paralajmëruan qeveritë e huaja.

Ajo pretendoi se qëllimi ishte “përshkallëzimi i mëtejshëm dhe zgjerimi i luftës”.

Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte”.

Në atë kohë, qytetarët amerikanë u këshilluan “t’i shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”.

Me urdhër të Ministrisë së Kulturës në Rusi, të gjitha ngjarjet e mëdha në këtë vend, të planifikuara për këtë fundjavë, u anuluan.

Rusia u trondit nga një seri sulmesh vdekjeprurëse në fillim të viteve 2000, derisa luftonte separatistët në rajonin e Çeçenisë.

Në tetor të vitit 2002, militantët çeçenë morën peng rreth 800 njerëz në një teatër në Moskë.

Dy ditë më vonë, forcat speciale ruse sulmuan ndërtesën dhe 129 pengje dhe 41 luftëtarë çeçenë humbën jetën – shumica e tyre nga efektet e gazit narkotik që forcat ruse përdorën për t’i nënshtruar sulmuesit.

Në shtator të vitit 2004, rreth 30 militantë çeçenë kapën një shkollë në Beslan – pjesa jugore e Rusisë – duke marrë qindra pengje.

Rrethimi përfundoi dy ditë më vonë me gjakderdhje – më shumë se 330 njerëz, rreth gjysma e tyre fëmijë, u vranë./REL/