Seanca dëgjimore ndaj avokatit Besnik Berisha që ka nisur mbrëmë në orët e mbrëmjes është shtyrë për të vazhduar nga ora 23:30.
Avokati i Berishës, Naim Rudari, tha se shpresojnë që padrejtësia të marrë fund sonte dhe gjykata të vlerësojë provat drejtë.
Rudari tha se po presin që Prokurori t’i dorëzojë edhe dy prova, që u arsyetua se nuk i kishte me vete.
“Për herë të parë në karrierën time jam tronditur e shokuar se sa larg mund të shkon pasiguria juridike në vendin tonë dhe sa lehtë e kundërligjshme mund të privohet një qytetar nga liria, e lërë me një profesionist avokat për diçka që jo vetëm që nuk përbënë krim por në fakt për diçka që për avokatin është obligim etik dhe ligjor.
Para fillimit të seancës kemi kërkuar që të na dorëzohen provat mbi të cilat mbështetet kërkesa e prokurorisë dhe pasiqë i kemi lexuar në prezencë të gjykatës, shumicën nga ato për një vëzhgues objektiv dhe për mua si avokat arrestimi i Besnik Berishës jo vetëm që është mëkat, por edhe abuzim me pushtetin diskrecional.
Besojmë fuqishëm se gjykata do t’i vlerësojë provat drejtë dhe do ta korigjojë padrejtësinë jo vetëm ndaj avokatit Besnik Berisha por edhe ndaj secilit avokat që nesër mund të përballet me një arrestim arbitrar, sepse në të kundërtën rrezikohemi të gjithë e vuajmë secili.
Po presim që prokurori të sjelle edhe dy prova të cilat u arsyetua se nuk i ka me vete, në mënyrë që edhe ato prova t’i diskreditojmë dhe të vërtetën ta pasqyrojmë.
Sot, me krenari e them, se dyshimi që Besnik Berisha është arrestuar me urdhër të pushtetit dhe për shkak të personalitetit, u faktua dhe çdo minutë që mbi të rëndon trillimi se kinse ka kryer vepër penale është abuzim për të cilin ne një ditë do ta denoncojme si krim.
Po presim që pas një kohe seanca të fillojë ku do të na mundësohet t’i dorëzojmë edhe provat tona dhe po shpresojmë që padrejtësia do të marr fund sonte.
Gjithsesi, ajo për çfarë jemi të sigurtë është se avokati Besnik Berisha është viktimë dhe kështu do të vërtetohet herët a vonë.”, tha Rudari.