Intervistimi i dëshmitarit të 11-të në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po zhvillohet tërësisht në seancë private. Pas pyetjeve nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), kanë filluar edhe kundër-pyetjet nga ekipi mbrojtës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit, ndërsa Jakup Krasniqi po e ndjek këtë proces përmes video-lidhjes.
Pyetjet për dëshmitarin me kodin 03811, kanë nisur nga avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, i cili ka kërkuar që të kalohet në seancë private.
Para kësaj, ekipet mbrojtëse e kanë njoftuar trupin gjykues për kohën që ju nevojitet për të bërë pyetjet për dëshmitarët.
Kehoe: Dëshmitarët e planifikuar për më pas janë shumë të rëndësishëm
“Dëshmitarët që do të jenë të planifikuar për më pas janë dëshmitarë shumë të rëndësishëm për këtë çështje gjyqësore. Kështu që do të qëndrojmë në të njëjtat afate kohore, në të njëjtat kohë që kemi parashtruar për sa i takon kundër-pyetjeve të tyre”, ka thënë avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
Edhe mbrojtësi i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka specifikuar kohën që i nevojitet për të bërë pyetje për dëshmitarët.
Emmerson: Për dëshmitarin 4746 parashikojmë tri orë
“Për dëshmitarin 4746 parashikojmë tri orë, për dëshmitarin 4290 tre orë. Dhe të dy këta dëshmitarë kanë njëfarë domethënie, njëfarë rëndësie. Ndërkohë që sa i takon dëshmitarit 4337 planifikojmë gjysmë orë”, ka thënë Emmerson.
Po ashtu, Emmerson ka kërkuar që Veseli ditën e nesërme ta përcjellë këtë proces gjyqësor përmes video-lidhjes.
Tutje, avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, ka thënë se koha që i duhet për kundër-pyetjet është pothuajse e njëjta me atë që kanë parashikuar më parë.
Tully: Për dëshmitarin 2161 parashikojmë katër orë
“Për dëshmitarin 4337 parashikojmë tre orë, dëshmitarin 4746 tetë orë, dëshmitarin 4290 shtatë orë dhe dëshmitarin 2161 katër orë”, ka kërkuar ai.
Ndërkaq, avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, ka njoftuar se për dëshmitarin 4331 e kanë ulur vlerësimin e kohës për kundër-pyetjet.
Ellis: E kemi ulur vlerësimin e kohës për dëshmitarin 4331
“Sa i takon dëshmitarit 4331, ne e kemi ulur vlerësimin e kohës për të bërë kundër-pyetjet për këtë dëshmitar nga dy orë, në një. Sa i takon dy dëshmitarëve të tjerë, për 4290 dhe 4746 koha që planifikojmë vazhdon që të mbetet i njëjti vlerësim që kemi bërë më përpara duke marrë parasysh atë që do të dëshmohet”, përfundoi ai.
Pas kthimit në seancë publike, kryegjykatësi Charles Smith ka thënë se pasdite do të diskutohet për disa pika që kanë nevojë të shtjellohen më tej.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.