Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, ka folur sot për ish-ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statutit të Kosovës, Martti Ahtisaari.
Ahtisaari, i cili vdiq sot në moshën 86-vjecare, kishte fituar Nobelin për Paqe për angazhimin e tij për zgjidhje konfliktesh në disa vende të botës.
“Në takimin e dytë, nga biseda që kishim, një bisedë jashtëzakonisht përmbajtjesore më pati thënë që ‘nuk kam ardhur me lujtë’. Kjo ishte një përgjigje interesante, apo një kallëzim për emisarë të ndryshëm që mund të kenë kapërcyer nëpër vende të caktuara, por kam ardhur për të kryer punë dhe për të mbajtur një mision në mënyrën më të drejtë të mundshme, të mirë, dhe për të përfunduar atë proces duke pasur parasysh konditat apo faktet që kam para vetes.
“Nuk ka shpejtuar, ka qenë thjesht me një qasje jashtëzakonisht stabile, ka pasur një mik me vete, ambasadorin Albert Rohan, që ka qenë po ashtu pjesë e ajkës së Bashkësisë Evropiane dhe botërore, dhe kanë punuar në një duet të pashkëputshëm duke e njohur shumë thellë problemet me të cilat është përballur Kosova në atë kohë, dhe duke njohur po ashtu apetitet dhe të bëmat deri në nivele gjenocidi që i kishte bërë agresori kryesor i vendeve të ish-Jugosllavisë që ishte Serbia”.