Dy persona kanë rënë në prangat e bluve të kryeqytetit pasi akuzohen për transport të lëndëve narkotike.
Policia sqaron se një prej të arrestuarve kryente transportin e kanabisit, ndërsa tjetri bënte monitorimin e rrugës ku do të kalonte automjeti.
Në Fushë-Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin dy autorët e ngjarjes, u ndalua nga efektivët të cilët pas kontrollit konstatuan dhe sekuestruan 6 thasë me kanabis që në total bënin 60 kilogram lëndë narkotike.
Policia ka shpallur në kërkim dhe bashkëpunëtorin e tyre.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Interruption 2”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- U., 35 vjeç, banues në Krujë dhe A. R., 26 vjeç, banues në Mat.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se këta shtetas po transportonin një sasi lënde narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Luz, Fushë Krujë, automjetet me të cilat po qarkullonin këta shtetas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin K. U., në pjesën e pasme, shërbimet e Policisë kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë. Automjeti tjetër drejtohej nga shtetasi A. R., i cili kontrollonte rrugën dhe njoftonte shtetasin K. U., nëse kishte prezencë të Policisë.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi S. D., 28 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale”, thuhet ne njoftim.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjetet, 2 celularë dhe një shumë parash. /rtsh.al