Autoritetet në Shqipëri kanë bërë të ditur se janë sekuestruar katër banesa dhe dy llogari bankare në pronësi të ish-zëvëndëskryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka thënë se janë ushtruar kontrolle në shtatë banesa dhe për katër prej tyre, në pronësi të Arben Ahmetajt, është vendosur masa e sekuestrimit preventiv.
Gjithashtu, janë sekuestruar dhe dy llogari bankare të tij në shumë prej 124.300 eurosh.
Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje të pasurisë.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe laptopë, telefona celularë, USB, e tjera, të cilat do t’iu nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme”, është thënë në njoftimin e SPAK-ut.
Kontrolli është kryer nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, mëngjesin e së martës, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shkruan REL.
Më herët janë kryer kontrolle në banesa të familjarëve të Ahmetajt, ndërsa kontrollet në pronat në emër të tij nuk mund të kryheshin pa votuar Kuvendi për heqjen e imunitetit si deputet.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmetaj i ka konsideruar kontrollet si “raprezalje ndaj familjes së tij”.
Më 14 korrik, Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit për të autorizuar arrestimin e Arben Ahmetajt dhe kontrollimin e pronave të tij.
Gjatë seancës plenare, 117 deputetë kanë votuar pro heqjes së imunitetit për Ahmetajn, ndërsa tre kanë abstenuar.
Avokatët e tij mbrojtës kanë deklaruar se ish-zyrtari i lartë ndodhet jashtë Shqipërisë, sipas tyre në Angli.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për kontrollim të pronave të Ahmetajt, por ende nuk ka një vendim për masën e sigurisë ndaj Ahmetajt.
Pas vendimit të gjykatës për caktimin e masës ndaj tij, duhet të kalojnë tri javë për ta shpallur kërkim ndërkombëtar.
Arben Ahmetaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë dhjetë vjetëve të qeverisjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka qenë drejtues i Drejtorisë së Tatimeve, ministër i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, ministër i Financave, zëvendëskryeministër dhe ministër i Rindërtimit.
Tags: Arben Ahmetajkrime te organizuaraShqiperi