Qytetarët serbë të veriut të vendit, kanë mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës për konvertimin e patentë shoferit të lëshuar nga strukturat ilegale serbe, në patentë shoferi të Republikës së Kosovës.
Ata, gjatë një bashkëbisedimi, kanë bërë të ditur se të gjithë qytetarët të cilët mendojnë të jetojnë në Kosovë, duhet të pajisen me patentë shoferi zyrtar të Kosovës.
Mirosllav Llaketiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se vendimi i qeverisë së Kosovës për konvertimin e patentë shoferëve është i drejtë.
Ai ka sugjeruar që institucionet të punojnë më shumë në informimin e qytetarëve përmes mediave.
Llaketiq: Veç të mos kushtëzohen qytetarët me detyrime shtesë
“Mendoj se në këtë kohë nga ana e qeverisë së Kosovës është një vendim normal, vetëm se duhet të punojnë më shumë medialisht për t’i bindur qytetarët… Prandaj, ai që mendon të jetoj këtu, duhet ta ketë atë patent-shofer. Nuk duhet ngarkuar qytetarët me disa detyrime, që të paguajnë diçka shtesë për leje, si trajnime, ose të paguajnë taksa dhe të ngjajshme, ndërsa këto procedurat tjera normale, unë nuk kam asgjë kundër kësaj… Çdo vendim në fillim është sikur frikë, mosbesim tek qytetarët, ose mos është nënçmim një gjë e tillë për ta etj, mirëpo me kohë, ai që mendon të jetoj në Kosovë do ta pranoj këtë”, ka thënë Llaketiq.
Nemanja Nestoroviq, një qytetar tjetër nga veriu i qytetit të ndarë, thotë se interesimi i qytetarëve për konvertimin e patentë shoferit është i madh.
Sipas tij, ajo që i frikëson qytetarët dhe për çka ata kërkojnë përgjigje, është fakti se çka do të ndodhë me patentët e tyre, përkatësisht nëse ato do të konfiskohen nga institucionet e Kosovës, anulohen, apo do t’ju kthehen qytetarëve.
Nestoroviq: Hap i vogël i Kurtit, dëshiron të dëshmojë se lejon favore për serbët
“Nga ana politike, një vendim i tillë (i qeverisë së Kosovës) vie në një moment kur shtetet e kuintit insistojnë që kryeministri Kurti dhe qeveria e Kosovës ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe kjo mund të interpretohet si një hap i vogël kur kryeministri Kurti dëshiron të blejë kohë dhe në këtë mënyrë dëshiron të tregoj se si ai është fleksibil, lejon favore të caktuara për komunitetin serb në Kosovë… Gjithsesi ka interesim (nga ana e qytetarëve), por ajo që vazhdon të mbetet e paqartë dhe për cka ata kërkojnë përgjigje është se patentët e tyre të cilat janë lëshuar nga institucionet e Republikës së Serbisë në Kosovë, a do t’ju merren, anulohen, apo do t’ju kthehen qytetarëve. Kjo është ajo që mbetet e paqartë dhe që krijon frikë shtesë dhe hezitim të tyre për të filluar me procesin e ndërrimit të lejeve menjëherë’, theksoi Nestoroviq.
Në anën tjetër, analisti serb Branisllav Kërstiq, tha se shumica e qytetarëve serbë të veriut e kanë pranuar me kënaqësi vendimin e qeverisë për patent shoferët.
Ai shtoi se nuk ka mundësi më që në një shtet të funksionojnë dy polici.
Kërstiq potencoi se më në fund është duke ndodhur integrimi i qytetarëve të shtetit të Kosovës, ndërsa tha se afati prej tre muajsh për konvertimin e patentë shoferëve është i mjaftueshëm.
Kërstiq: Është dorë tepër e hapur nga shteti i Kosovës
“Shumica e banorëve të veriut me kënaqësi e kanë pranuar vendimin e qeverisë tonë. Në një shtet dy polici nuk funksionojnë, që do të thotë letërnjoftimet, patent-shoferët, të cilat janë lëshuar nga qendrat policore të qyteteve në Serbi, por me emrat Mitrovica e Kosovës, Prishtina, Peja, nuk funksionojnë më… Kjo është më duket një dorë-mundësi tepër e hapur nga shteti i Kosovës… që do të thotë jemi duke bërë një lloj integrimi të qytetarëve të shtetit të Kosovës me dokumentacion të saktë dhe kjo është dicka e mirëseardhur dhe e mirëpritur nga ana e banorëve të veriut të vendit… Tre muaj është një afat i mjaftueshëm kohor për riregjistrimin e patentëve. Jam i sigurt se në muajt e verës, zyrat në veri, por edhe në jug, do t’i kemi të mbushura përplotë me banorë të interesuar për riregjistrimin e patent-shoferëve”, sqaroi analisti Kërstiq.