Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Serbët në Kosovë dëshmojnë se si Thaҫi dhe Haradinaj me shokë u lidhën me bandat e veriut”

Analisti dhe publicist Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se vjedhja e dëshmive të krimeve të vrasjeve politike; të arit dhe stolive të sekuestruara, në zyrat e ministrisë së Brendshme; haraçi masiv, i denoncuar dhe i provuar me gjyq, nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, të gjitha këto “xhevahire”, janë dëshmi faktike, se UNMIK-u u korruptua nga “komandantët” milionerë kriminelë, duke u bërë palë me krimin dhe makro-korrupsionin.

“Komandantët veteranë, pothuajse të përjetëshëm në krye të partive PAN-iste, makro-kontrabanda i lidhi fort me bandat kriminale të veriut të Kosovës, jo me kuaj e gomerë, qysh hynte malli nga Mali i Zi, por me kamikonë -maune-, “teretnjakë”, duke i shkaktuar dëme prej miliona euro shtetit të brishtë dhe të varfër të Kosovës.

Ishte DASH (i Amerikës), që denoncoi këtë krim zyrtar dhe shpalli “non grata” disa bosa serbë të krimit në veriun e Kosovës. Por, çuditërisht i heshti, i kurseu komandantët kontrabandistë shqiptarë në jug dhe anepërtej Kosovës”, tha ai.

Image
Analisti dhe publicist Idriz Zeqiraj

Po ashtu, publicist Zeqiraj thotë se opozita serbe në Kosovë, akuzojnë Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinaj, me shokë, se u lidhën, përmes kontrabandës, me bandat e veriut, kryesisht, “Listën Serbe”, me dijeninë edhe të Beogradit zyrtar, dhe shkatërruan opozitën dhe pluralizmin politik të serbëve në Kosovë, thjeshtë, për përfitime reciproke banditeske.

“Ishin këta komandantë të Kosovës, të cilët penguan, qëllimshëm, inkuadrimin e serbëve të Kosovës, për t`i mbajtur të shkëputur, të izoluar ata nga shqiptarët, për të vazhduar shpengueshëm kontrabandën me bandat e veriut, të kryesuara nga radoiçiqët, veselinoviqët dhe viçër të tjerë. Krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, fillimi i hetimeve, i bashkoi komandantët, rrast të inkriminuar dhe një natë tentuan ta zhbëjnë ate, por partive-banda, tashmë, të koalicionuara, në PAN, nuk iu bashkuan LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Por, vendimtare ishte “hyrja në lojë”, e SHBA dhe disa shteteve të Quintit, të cilët reaguan fuqishëm dhe stopuan zhbërjen e Gjykatës Speciale. Serbia, nga ana tjetër, trysnoi dhe shantazhoi me dosjet e gatshme kriminale, për t`i aktivizuar agjentët e saj në Kosovë, për ta ndarë një pjesë të Kosovës. Hashimi me komandantët e tij, Ramushin e Limaj, me shokë shumë, nismoi lobimin, fillimisht, për shkëmbim territorësh, për të ardhur ke ndarja e Kosovës.

Administrata e presidentit Donald Trump, përmes shefit të Sigurisë shtetërore, Bolton, i rritur në Beograd, deklaroi se “ne respektojmë vullnetin e palëve në konflikt, nëse ata vendosim për këmbim territorësh apo ndarje!” Ishte një zhgënjim i madh, sepse flitej në emër të Amerikës, nga një kuadër i lartë i Administratës të presidentit Trump”, vlerëson ai.