Serbia nuk është duke i ndalur arrestimet ndaj qytetarëve të Kosovës. Të shtunën në pikën kufitare Merdare mes Kosovës dhe Serbisë, është arrestuar Tefik Mustafa nën dyshime për krime lufte, ndërsa të hënën gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Beograd, ia ka caktuar atij, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“I pandehuri M.T është i akuzuar për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile, si bashkëkryes”, është thënë në vendim.
Sipas vendimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit.
Vendimi do të mund të apelohet pas tre ditëve të hyrjes në fuqi të vendimit.
Në të njëjtën kohë, shtetasit tjetër të Kosovës, Sadik Durakut, i cili ishte ndaluar më 17 prill të këtij viti, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.
Përveç Mustafës dhe Durakut, të arrestuar së fundmi janë edhe Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai është arrestuar më 6 janar në pikën kufitare Merdare. Aktakuza kundër tij nuk është publikuar ende. Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë e akuzon atë për bashkëpunim në krime lufte kundër popullatës civile.
Dakaj, sipas fjalëve të përfaqësuesit të tij ligjor, Xhevdet Smakiqi, i ka mohuar kategorikisht akuzat para organeve gjyqësore të Serbisë.
Procesi gjyqësor po zhvillohet edhe ndaj Nezir Mehmetajt, i cili është arrestuar më 4 janar 2020, në vendkalimin në Merdare. Aktakuza është ngritur në dhjetor të atij viti, ndërsa gjykimi ka nisur në prill të vitit 2021. Mehmetaj ka qëndruar gjatë gjithë kohës në paraburgim.
Këto arrestime nuk janë të vetme që i bëhen qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, kjo e fundit ka mbajtur në paraburgim, ka dënuar e ka liruar edhe qytetarë tjerë për akuza të tilla.
Duhet të reagojë QUINT-i
Juristi Blerim Burjani thotë se Serbia i trajton qytetarët e Kosovës sikur të jenë të Serbisë dhe për atë i arreston.
Blerim Burjani
“Serbia i trajton qytetarët e Kosovës si ata të Serbisë dhe pa ndonjë arsye të madhe mund edhe të arrestojë qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është hera e parë e arrestimeve, edhe më herët apo prej vitesh janë arrestuar qytetarët e Kosovës për motive lufte apo krime”, deklaron Burjani.
Për arrestime kishte folur më herët edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.
Kosova gjithashtu kërkon reagimin e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian për këto arrestime, ndërsa juristi Blerim Burjani thotë se nuk ka trajtim të drejtë për serbët dhe shqiptarët nga këto vende.
“Deri më tani nuk ka pasur as ndonjë reagim të shteteve të QUINT-it lidhur me këtë temë. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por këtu nuk kanë trajtim të njëjtë për qytetarët, domethënë kur arrestohen serbët reagojnë, kurse kur arrestohen shqiptarët heshtin”, shprehet Burjani.
Në anën tjetër, institucionet serbe nuk janë prononcuar për media, dhe as Prokuroria për krime lufte e Serbisë, nuk janë përgjigjur për media nëse ekziston një listë e shtetasve të Kosovës – shqiptarë – të cilët dyshohen për krime lufte.
“43 mijë shqiptarë të Kosovës që pushteti serb po i përndjek”
Fatmir Sheholli
Por, një listë është duke e përmendur Drejtori për Marrëdhënie Ndëretnike, Fatmir Sheholli.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se janë 43 mijë shqiptarë të Kosovës që pushteti serb i përndjek.
“Pushteti i Serbisë dhe shërbimet sekrete të Serbisë kanë bërë lista të shqiptarëve për arrestime në pika kufitare të saj. Në emisionin që e moderoj unë “Detektori” kam pohuar se në këto lista janë 43 mijë shqiptarë të Kosovës që pushteti serb po i përndjek. Kam bërë apel që shqiptarët mos të udhëtojnë rrugëve nëpër Serbi. Ka një vit e më shumë që si “papagall” kam folur e lutur mos të shkojnë atyre rrugëve të armikut. Viktimë është edhe zotëri Tefik Mustafa që akuzohet për kinse rrëmbim të serbëve në fshatin Llabjan të Gjilanit”, thekson Sheholli.
Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës t’i informojnë shtetet e QUINT-it për listat në mënyrë që presioni të bie mbi Serbinë.
“Serbia tash po revanshohet Kosovës për arrestimet e serbëve që dyshohen për krime lufte në Kosovë. Ky fenomen është luftë e re e Serbisë ndaj Kosovës. Serbia ka përpiluar lista për arrestime të shqiptarëve të Kosovës dhe është duke e dërguar në Interpol me qëllim që edhe nga vendet e treta t’i dorëzohen Serbisë. Shtetet e QUINT-it duhet të jenë të informuara nga institucionet e Republikës së Kosovës detajisht dhe me argumente me qëllim që presioni të bie mbi Serbinë. Pra Republika e Kosovës nuk duhet të kënaqet vetëm me deklarata publike dhe dënimin e këtyre arrestimeve nga Serbia por duhet maksimalisht të angazhohet që Serbinë ta sjellë para aktit të kryer”, përfundon Sheholli.
Theksojmë se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka arrestuar disa shtetas serbë për krime lufte në Kosovë.
Bëhet fjalë për persona të zhvendosur nga Kosova, të cilët jetojnë në territorin e Serbisë, dhe sipas të dhënave të Fondit të Kosovës për të Drejtën Humanitare, të arrestuarit kryesisht kanë dokumente të Kosovës, përkatësisht shtetësi të dyfishtë.