Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Serbia po ushtrohet në kufi, do testojë dronë kamikazë”, Maqedonci ngre alarmin: Tensionet do vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci 24 orë pas bllokimit në kufi me Serbinë të mbi 1500 shtetasve kosovarë, tha se këto veprime nga Beogradi erdhën pas thirrjeve të Aleksandër Vuçiç ndaj njësive “Kobra”.

Ai ngriti alarmin se Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë.

Sipas Maqedoncit këtë e tregon edhe stërvitja që vijon prej 8 prillit në kufirin me Kosovën, ku ushtria serbe po teston armë sulmuese, pavarësisht se kamuflohet si një përgatitje për mbrojtjen e territorit.

“Vlerësojmë se këto tensione do të vazhdojnë. Mund të ketë forma të tjera, një ndër tyre që kemi vërejtur prej datës 8 prill deri më 21 është një ushtrim që ushtria serbe po kryen në pjesën jugore të territorit të Serbisë. Është një ndër më të mëdhatë që ka zhvilluar ndonjëherë ushtria serbe. Në kohën që ky ushtrim po realizohet dhe përdorimi i pajisjeve dhe sistemit të armatimit në këtë ushtrim paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Të gjitha veprimet që deri më tani ka ndërmarrë i ka kamufluar Serbia si përgatitje dhe militarizim për mbrojtje. Serbia do të testojë pajisje sulmuese dhe jo mbrojtëse. Edhe pse ka vendosur 48 baza në kufi me Kosovën në jug të territorit të saj, ka vazhduar të proklamojë se gjithë ky mobilizim ka qenë për të përgatitur mbrojtjen e territorit. Nesër do të jemi dëshmitarë që Serbia do të testojë kapacitete sulmuese, mes tyre dhe dronë kamikazë që nuk përdoren për të mbrojtur por për sulme kundër dikujt tjetër.”

Sipas tij mobilizimi i NATO-s për të rritur prezencën e trupave të KFOR-it në Kosovë dhe Bosnje vjen pas vlerësimit të riskut nga autoritetet vendase dhe blerja e armatimeve në mënyrë të vazhdueshme nga Beogradi.