Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Serbia shpall ditë zie për serbët e vrarë pjesë e grupit që kreu sulm terrorist në veri

Qeveria e Serbisë e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie për, siç kanë thënë, “ngjarjet tragjike” në Kosovë.

Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – “shpalli” tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas ligjit të Kosovës, në nivel shteti ditë zie mund të shpallë vetëm presidentja e vendit, ndërsa në nivel komune edhe vetë komunat përkatëse.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serbë, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.

“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë”, njoftoi Qeveria e Serbisë pas një seance të jashtëzakonshme më 26 shtator.

Edhe Lista Serbe ka shpallë ditë zie në komunat me shumicë serbe.